Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se shteti që e qeverisë nuk ka problem më të madh se ai i raportit me Serbinë.
Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta mendojë e as ta pranojë Kosovën si shtet të barabartë dhe fqinj”, ka thënë Kurti në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”.
Ai e ka akuzuar Serbinë për sjellje armiqësore edhe ndaj shteteve tjera të dala nga ish-Jugosllavia, ndërsa e ka krahasuar me Rusinë.
“Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor sikur Rusia me fqinjët e saj: entitetin e Republikës Serbe në Bosnjë tenton ta shndërrojë në Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi në Ukrainë.
Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian – Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, e madje as Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi; këto shtete i konsideron si të përkohshme, dhe me të gjitha kapacitetet e veta angazhohet ta shkatërrojë shtetësinë e tyre”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu qartësoi se nuk do të ketë themelim të Asociacionit të Komunave Serbe, meqë sipas tij, është në kundërshtim me nenin 23 të Kushtetutës së Kosovës.
“Një krijesë të tillë e kemi në Bosnjë dhe Hercegovinë: quhet Republika Srpska, është ndërtuar në Dayton dhe i shërben Beogradit e jo serbëve. Pra, Beogradi e don një krijesë të njëjtë edhe në Kosovë”.
Ndërkohë, ka ripërsëritur qëndrimin kundër projektit të “Ballkanit të Hapur”.
“’Ballkani i Hapur’ më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçmas nga Federata Ruse dhe Kina, i hapur për autokraci, korrupsion, krime lufte… Gjithçka kundër vlerave evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”.
Kurti nuk është përgjigjur në pyetjen nëse e ka përshtypjen se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kuptohet më mirë se ai me presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiqin, por ka përmendur mbledhjen e fundit të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe nënshkrimin e 13 marrëveshjeve të reja midis tyre.