Shkruan Musli Krasniqi
Pothuajse i tërë fshati atë ditë ishte dyndur në oborrin e Sherifit të Nezirit. Ky i fundit po hapte themele të reja, në truallin e moçëm. Gurët e shtëpisë së vjetër ishin bazamenti më i sigurtë për strehën e re të familjes.
Zhurmat e kazmave në duart e të rinjve të fshatit po e përcillnin njëra-tjetrën, ndërsa të moshuarit, së bashku me ustallarët, po përpiqeshin t’i jepnin zgjidhjen finale planit të shtëpisë që po niste.
Përderisa gurët nga themeli i shtëpise së vjetër po hynin në atë të vatrës së re, një zë i pakontrolluar, në formë habie, doli nga goja e njërit prej të rinjve.
Të gjithë njëherësh kthyen kokën prapa dhe me një mimikë qortuese sikur i kërkuan sqarime për britmën që lëshoi.
Droja se mos ishte lënduar, u fashit, kur i riu u la në dorë një plis të zhubrosur.
“E gjeta nën këtë gurin këtu”, tha duke dihatur dhe me një ton disi lumturues.
Plisi, si pjesë e veshjes së shumicës prej tyre nuk do të përbënte ndonjë habi, sikur qepur në të, në formë steme, mos ishte një shqiponjë e zezë dykrenore, në fushë të kuqe.
Askush nuk po lëshonte zë, ndërsa fëmijët kishin ngelur të gojëhapur dhe nuk po ia ndanin sytë simbolit në plis, aq të panjohur për ta.
“Ma jepni ju lutem”, tha me një zë të zgjatur e kërshërues Demiri, një mesoburrë.
E mori në duar dhe filloi ta rrotullonte…
* * *
1945. Komandanti kishte radhitur njësinë e tij ushtarake dhe po i jepte porosinë e fundit.
“Luftën e humbëm, por ne do të kthehemi serish. Tani, pushteti i ri komunist jugosllav mund të fillojë vrasjet dhe persekutimet, sidomos ndaj jush dhe familjeve tuaja, prandaj duhet të ktheheni nëpër shtëpi. Mundësisht të mos lini gjurmë”.
E shtrirë në brezin kufitar me Serbinë, vija mbrojtëse e vullnetarëve shqiptarë e përshkonte pjesën më të madhe të Gollakut. Shumë banorë të kësaj treve ishin bërë pjesë e njësive ushtarake që për disa vite u bënë ballë mësymjeve serbe.
Tani, në rrethanë të re, si shumë syresh edhe Demiri i ishte kthyer familjes. Për të shmangur çdo pretekst të pushtetit për ndonjë reprezalje ndaj tij dhe familjes, plisi me shqiponjë duhej nxjerrë nga ambientet e brendshmë të shtëpisë. Por jo edhe përtej saj. Prandaj e kishte palosur dhe futur me kujdes nën njërin nga gurët e themelit të shtëpisë së përbashkët…
* * *
Pas dy dekadash, ai plis serish po kthehej në dorën e tij.
Dikush i hoqi me kujdes stemën. Plisi tashmë ishte i papërdorshëm, ndërsa simboli kombëtar u bart dorë më dorë e u ruajt xhep më xhep ndër banorë të Grashticës për disa vjet, derisa flamuri kuq e zi fitoi të drejtën të ngrihej dhe valojë lirshëm, për të mos u ulur më asnjëherë.
Deri atëherë, ndër shekuj ai qe ruajtur, kështu, nëpër themele shtëpish, nëpër djepe foshnjash, në mendje e zemra shqiptarësh.