Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey ka thënë se aktualisht mes Kosovës dhe Serbisë ka vullnet politik për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.
Këtë konstatim ai e jep kur pyetet për raportimet se administrata e Biden dëshiron që çështja mes Kosovës dhe Serbisë të mbyllet deri në fund të vitit 2022.
“Procesi midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Unë mirëpres faktin që miku im Gabriel Escobar pati mundësinë të mbështesë Miroslav Lajçak në zgjidhjen e krizës së fundit kufitare. Sfida është që zgjidhja të jetë afatgjatë. Nuk mund të jetë imponuar. Duhet të vijë nga një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.
Gazetarët serbë e pyetën ambasadorin amerikan nëse ai mendon se zyrtarët amerikanë dhe evropian duhet të “kërkojnë falje për viktimat civile të bombardimeve të vitit 1999 në Kosovë”.
Ai u përgjigj se ndërhyrja e NATO-s ishte e detyrueshme për të ndalur veprimet e Millosheviqit.
“Unë e pranoj që e kaluara jonë është plot sfida dhe e di që, për shembull, Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s Jens Stoltenberg shprehu keqardhje publike për viktimat civile në 1999. E bëra vetë. Por ai vendim duhej të merrej atëherë dhe Shtetet e Bashkuara e sheh atë si ditën kur diplomacia dështoi. Ishte një vendim i detyruar, ne nuk e donim atë, por u detyruam ta merrnim atë për të ndaluar veprimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Unë do të bëja një dallim të qartë midis atij regjimi dhe udhëheqjes serbe tani. Unë nuk mendoj se Serbia duhet të përqëndrohet aq shumë në të kaluarën dhe të jetojë me hidhërim për shkak të ngjarjeve të së kaluarës, por të përqëndrohet në të ardhmen e saj, e cila sipas mendimit tim është jashtëzakonisht e ndritshme”, tha ambasadori amerikan.
Kujtojmë se Godfrey është në përfundim të mandatit të tij si ambasador i SHBA-ve në Serbi.
Si zëvendës të tij, presidenti amerikan, Joe Biden e ka nominuar diplomatin e njohur Christopher Hill.