Studimi: Sistemi juaj imunitar është unik , prandaj vaksinat anti-Covid duket të jenë më pak efektive tek disa njerëz

Në jetën tonë të përditshme, trupi ynë përballet dhe sulmohet nga shumë mikrobe, të cilat përdorin truke dinake për të hyrë në trupin tonë, duke synuar që të marrin kontrollin e situatës.

Nga Albert JR Heck

Çdo person duket se ka një sistem imunitar unik. Kolegët e mi dhe unë zbuluam këtë diversitet imunitar kur analizuam antitrupat që gjendeshin në gjakun e njerëzve të shëndetshëm dhe atyre të sëmurë, shkruan The Conversation.

Ky zbulim mund të ndihmojë shumë në shpjegimin se pse për shembull, vaksinat anti-Covid duket të jenë më pak efektive tek disa njerëz.

Njëkohësisht, ai rrit mundësinë e identifikimit dhe marrjes së antitrupave veçanërisht efektivë tek disa individë, dhe përdorimin e tyre për të kuruar të tjerët. Në jetën tonë të përditshme, trupi ynë përballet dhe sulmohet nga shumë mikrobe, të cilat përdorin truke dinake për të hyrë në trupin tonë, duke synuar që të marrin kontrollin e situatës.

Fatmirësisht, ne kemi një mbrojtje të fuqishme:sistemin tonë imunitar. Me një sistem imunitar që funksionon mirë, ne mund të luftojmë shumicën e mikrobeve që na prekin vazhdimisht dhe në mënyrë shumë agresive. Pjesë e arsenalit tonë për t’i neutralizuar mikrobet pushtuese, janë molekulat proteinike të quajtura antitrupa.

Këto antitrupa ndodhen në sasi të shumta në gjak, dhe përmes tij qarkullojnë në të gjithë trupin tonë, duke formuar vijën e parë të mbrojtjes kur shfaqet një mikrob i ri shumë agresiv. Çdo mikrob i ndryshëm, kërkon një arsenal të ndryshëm armësh (antitrupa) për t’i luftuar ato në mënyrë më efikase.

Për fat të mirë, trupi ynë na ka siguruar një mjet për të prodhuar miliona deri në miliarda antitrupa të ndryshëm. Por ato nuk mund të prodhohen të gjitha në të njëjtën kohë. Shpesh, disa antitrupat specifikë prodhohen vetëm si kundërpërgjigje ndaj një mikrobi të veçantë.

Nëse jemi të infektuar nga bakteret, trupi ynë nis të prodhojë antitrupa për t’i sulmuar dhe vrarë këto baktere. Nëse infektohemi nga koronavirusi, ne fillojmë të prodhojmë antitrupa për ta neutralizuar atë virus. Kur infektohemi me virusin e gripit, ne sërish prodhojmë antitrupa të tjerë.

Sesa antitrupa të ndryshëm prodhohen në një moment të caktuar, pra sa janë të pranishëm në gjakun tonë, kjo gjë nuk dihej deri vonë. Shumë shkencëtarë, vlerësuan se shifra ishte mbi disa miliardë, ndaj ishte thuajse e pamatshme.

Duke përdorur disa pika gjaku dhe një teknikë të quajtur spektrometria masive, unë dhe kolegët e mi ishim në gjendje që të kapnim dhe të masnim numrin e antitrupave të ndryshëm në gjak, dhe të vlerësonim përqendrimin e saktë të secilit prej tyre.

Edhe pse teorikisht, trupi ynë ka kapacitetin të prodhojë triliona antitrupa të ndryshëm, ne u surprizuam kur vumë re se në qarkullimin e gjakut të njerëzve të shëndetshëm dhe të sëmurë, dhjetëra deri në qindra antitrupa të ndryshëm ishin të pranishëm në përqendrime shumë të larta.

Duke i monitoruar ato nga vetëm disa pika gjaku, ne u habitëm kur vumë re se mënyra se si sistemi imunitar që reagon ndaj mikrobeve, ndryshon shumë nga personi në person, me profilin e antitrupave të secilit person që është unik.

Dhe përqendrimet e këtyre antitrupave ndryshojnë në një mënyrë unike gjatë sëmundjes apo pas një vaksinimi. Rezultatet e këtij studimi, mund të shpjegojnë pse disa njerëz janë më të prirur të sëmuren nga gripi apo Covid-19, apo pse shërohen më shpejt nga disa sëmundje sesa të tjerët.

Deri më tani, shkencëtarët e konsideronin të pamundur realizimin e një harte të saktë të përzierjes shumë komplekse të antitrupave në gjak. Por spektrometria masive i ndan substancat në bazë të përbërjes së tyre molekulare, dhe meqë çdo antitrup specifik ka një përbërje të veçantë molekulare, ne ishim në gjendje t’i masnim individualisht të gjithë antitrupat.

Metoda është përdorur për të matur profilet e antitrupave tek rreth 100 njerëz, përfshirë pacientët me Covid-19 dhe njerëzit e vaksinuar me vaksina të ndryshme anti-Covid. Ne nuk kemi hasur asnjëherë të njëjtët antitrupa në dy njerëz të ndryshëm, edhe nëse ata kishin marrë të njëjtën vaksinë.

Prandaj është e sigurt të thuhet se profili i antitrupave të secilit është po aq unik sa gjurmët e gishtërinjve të tyre. Edhe pse ndryshimet tek antitrupat janë të vogla, ato ndikojnë shumë tek ecuria e një sëmundjeje.

Nëse dikush prodhon më pak antitrupa kundër një mikrobi të caktuar, apo vetëm antitrupa që janë më pak efektivë në vrasjen e mikrobit, atëherë një sëmundje mund të godasë më shumë apo disa herë një person të caktuar.

Nga ana tjetër, nëse njerëzit prodhojnë antitrupa që janë shumë të aftë në neutralizimin e mikrobit, ai antitrup mund të prodhohet në mënyrë terapeutike dhe të përdoret për të vaksinuar ose trajtuar pacientët. Hulumtimi ynë krijon mundësinë për të prodhuar vaksinime dhe ilaçe optimale, të përshtatura ndaj sistemit imunitar të një individi.