Prezenca e KFOR-it në veri të vendit po vlerësohet se është konform mandatit të saj dhe jo për të zëvendësuar Policinë e Kosovës aty. Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se ky mekanizëm i sigurisë po vëzhgon e patrullon komfor mandatit të vet. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi të martën se KFOR-i u ofrua të sigurojë pikat kufitare, u refuzua nga elementet ekstremiste.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se në një situatë të tensionuar në të cilën ndodhet Jarinja dhe Bërnjaku, është e mirëseardhur që KFOR-i patrullon në atë pjesë aty.Anash kësaj, ai shpreh shqetësimet e tij për prezencën ruse në veri.“Në një situatë të tensionuar ashtu çfarë e bën pala serbe, është e mirëseardhur që KFOR-i patrullon në atë pjesë aty dhe deklaratat e ministrit Sveçla se nëse serbët i tërheqin barrikadat dhe tërhiqen nga protesta, zhbllokojnë kalimin në kufi, atëherë mund të tërhiqen Njësitë Speciale nga ajo pjesë, ky është një kusht. Por, me sa duket ekstremistët e dirigjuar nga Beogradi nuk e kanë qëllimin aty, ata duan që të tensionohet situata dhe është shqetësues aspekti i prezencës së vazhdueshme ruse. Ardhja e ambasadorit me ministrin e Mbrojtjes Stefanoviq, mirëpo edhe kontaktet e vazhdueshme të ministrit të Mbrojtjes dhe kërkesa për një panair ushtarako-teknik i palës ruse, krejt kjo tregon një ndërhyrje dashakeqe të Rusisë. Dhe, interferimi i vazhdueshëm i saj që vazhdimisht e shfrytëzon Kosovën si tranzit për ndikim në Ballkan[…]dhe shtytje palës serbe që të ndërmerr masa ekstreme në kuptim të asaj që të kundërshtojë prezencën e Policisë së vendit”, thotë ai.Kështu beson edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, sipas të cilit KFOR-i po performon në veri të vendit komfor mandatit të tij. Teksa e sheh të arsyeshme tërheqjen e Policisë së Kosovës nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, pasi që thotë se është policia kufitare ajo që mund të kryejë punën në zbatim të reciprocitetit.“S’kisha me e quajt zëvendësim por kisha me e quajt performim komfor mandatit nga ana e KFOR-it dhe po ashtu një tërheqje e arsyeshme e Policisë nga ana e Njësisë Speciale në asistim të policisë së rëndomtë për të mbaruar kryerjen e punës së vet në zbatim të reciprocitetit. Pra, KFOR-i nuk po bënë zëvendësim, Policia e ka vendin e vet, e ka mandatin e vet. Edhe KFOR-i ka mandatin e vet dhe po bën monitorimin në frymën e parandalimit të një konflikti dhe në ruajtjen e sigurisë, meqë vetëm KFOR-i ka ekskluzivitetin në parandalimin”, thotë Çollaku.Mbështetje për vendimin e qeverisë për reciprocitet në targa me Serbinë jep edhe kryetari i Komisionit për siguri dhe mbrojtje, Bekë Berisha.Por sipas tij, Njësia Speciale e Kosovës nuk ka nevojë të qëndroj në veri të vendit me kapacitetet që aktualisht është, pasi që vlerëson se monitorimin e situatës atje mund ta bëjë pa problem edhe policia kufitare.“Veç le të zbatohet ligji, sepse policia nuk ka nevojë me gjithë ato kapacitete të jetë atje. Ajo është atje për shkak të protestave, për shkak që ka tensione. Nëse vazhdon me u zbatu ligji, është policia kufitare që e zbaton atë në kufi”, thotë ai.Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi dje se Njësia Speciale e Kosovës po qëndron pranë dy pikave kufitare me Serbinë për të mbrojtur policët kufitarë dhe doganierët e do të tërhiqet nga aty vetëm pasi serbët të largojnë barrikadat e vendosura.“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë, edhe pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme, por edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta vetëm se kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur siç thonin më herët me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Sveçla.Është dita e 10-të prej kur serbët ekstremistë kanë bllokuar kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa me Serbinë. Ata gjatë kësaj kohe kanë provokuar dhe propagantuar në mënyra të ndryshme, me qëllim të tensionimit të situatës atje.