Si mund të shkurtohet periudha e fushatës zgjedhore?

Asnjë nga partitë politike në Kosovë, nuk kanë parashtruar ndonjë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur më shkurtimin e periudhës se fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kreshnik Radoniqi, kryetar i këtij institucioni.

Megjithatë, ai thotë se Ligji për Zgjedhjet parasheh që fushata të mbahet 30 ditë dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë mundësi ta ndryshojë këtë periudhë.

“Nëse partitë politike parashtrojnë një kërkesë të tillë në KQZ, ne do të trajtojmë kërkesën, kemi Këshillin për çështje ligjore, ku do ta trajtojnë Ligjin për Zgjedhje dhe Ligjin për Parandalimin e Pandemisë dhe do të veprohet përshtatshmërisht. Por, se a do të marrim ndonjë vendim lidhur më shkurtimin e fushatës, mbetet ta trajtojmë, por mundësitë ligjore nuk janë për të marrë këtë vendim”, tha ai.

Radoniqi, shprehet se në planin operacional, KQZ-ja ka për obligim të zbatojë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit edhe ditën e zgjedhjeve.

“Do të bëhet një plan i detajuar se si do të punohet nga stafi i KQZ-se ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të mos të lejohet grumbullimi i njerëzve nëpër vendvotime. Ashtu si ne edhe partitë politike, janë të obliguara të zbatojnë këto masa”, thekson Radoniqi.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta dhe sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë, në këtë rast duke filluar nga 16 shtatori deri më 15 tetor.

Për shkak të situatës se rënduar me pandeminë COVID-19, rritjes së numrit të viktimave dhe rasteve pozitive me coronavirus, kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u është drejtuar krerëve të partive parlamentare, duke kërkuar që të bien dakord që të shkurtohet në 10 ditë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që fushata të shkurtohet në pesë ditë. Kurse Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se në këtë parti “ka një mendim se duhet të diskutohet dhe dokordohen për shkurtim të fushatës”. Një qëndrim zyrtar deri më tani, nuk e ka partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, nuk ka dhënë ndonjë përgjigjeje për ndonjë kërkesë në KQZ, por tha se për këtë çështje, LDK-ja është në proces të shqyrtimit për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do propozohet rezolutë.

“Është shprehje e vullnetit politik të partive politike në Kuvend dhe angazhim publik, për të mos mbajtur fushatë. Dhe nëse është e nevojshme, pastaj kjo mund të kthehet edhe në vendim të KQZ-se”, tha Gashi.

Shtyrja e fushatës zgjedhore përmes ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet dhe rezolutës, po konsiderohet e pamundur nga Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës. Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rezoluta nuk ka karakter të obligueshëm për zbatim dhe se kjo mund të keqpërdoret nga subjektet politike.