170 viktima nga koronavirusi janë konfirmuar në Kosovë nga data 27 gusht deri më 2 shtator. Ka qenë ky shtatëditëshi më vdekjeprurës që kur ka shpërthyer pandemia , pranverën e vitit të kaluar. Fluksi i pacientëve në spitale është në prag të limiteve. Si mund të ndalet hovi?
Kosova gjatë muajve të verës i ka liruar pothuajse të gjitha masat kundër koronavirusit, ndërsa nga 29 gushti, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike, ka rikthyer kufizimet në lëvizje, ka zvogëluar orarin e gastronomisë dhe ka obliguar institucionet publike dhe private që punojnë vetëm me staf esencial.
Profesionistët shëndetësor thonë se lirimi i tepër i masave, por mbi të gjitha, normat e ulëta të vaksinimit kanë sjellë në gjendjen aktuale
Deri më 3 shtator në Kosovë janë vaksinuar plotësisht 290 mijë qytetarë. Sipas MSH’së, rreth 31 përqind e kosovarëve janë vaksinuar me dy doza.
Në Kosovë ka pasur raste kur personat e vaksinuar plotësisht janë infektuar sërish. Sesi duhet të ndjehen të vaksinuarit për këtë mundësi, ka treguar epidemiologu çek, Petr Smejkal.
“Miund të infektoheni, por shumë më pak. Ju mund të sëmureni pak, por s’do të përfundoni në ventilator. Ju do të duhet të vazhdoni të bartni maska, por do të jeni më pak të rrezikshëm për të tjerët”, ka thënë Smejkal.
Specialisti i sëmundjeve infektive në SHBA, Paul Offit, është i bindur se vaksinat mund ta vënë nën kontroll koronavirusin, përfshirë edhe variantin Delta. Sipas tij, të gjitha vaksinat që janë të miratuara nga rregullatorët evropianë dhe amerikanë shëndetësor, funksionojnë dhe janë të sigurta.
“Po, sikur ta kishim të gjithë popullatën të vaksinuar, këtë virus do ta ulnim në gjunjë. Do të kishim shumë pak përhapje, shumë pak hospitalizime. Kështu ka ndodhur në disa vende. Aty ku normat e vaksinimit janë të larta, normat e hospitalizimeve janë të ulëta. Pra, vaksinat funksionojnë. Ne kemi qenë në gjendje ta eliminojmë variolën me vaksina… Pra, virusi mund të kontrollohet me vaksina. Por, vaksinat s’ funksionojnë nëse s’i merrni. Ato të gjitha funksionojnë. Pifzer, Moderna Johnson Johnson, AstraZeneca, të gjitha mbrojnë kundër sëmundjes së rëndë. Merreni atë që mund ta merrni”, ka thënë Offit.