Orët dramatike dhe fluturimet e fundit në Kabul, çfarë do të ndodhë pas të martës?

Evakuimi nga aeroporti i Kabulit është bërë çështje kryesore pasi mijëra afganë mund të mbesin në kryeqytetin afgan në pamundësi për t’u larguar për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe e gjithë kjo në një kohë kur disa prej qeverive Perëndimore po bëjnë presion për të zgjatur afatin për fluturimin e fundit të arratisjes pas të martës së ardhshme.

Britania i ka bërë thirrje Presidentit amerikan Joe Biden të shtyjë afatin e tërheqjes së trupave amerikane nga aeroporti i Kabulit në mënyrë që të ndihmojë transportin ajror të të paktën 6000 qytetarëve britanikë dhe vendasve. Por nëse kjo nuk realizohet të paktën 2000 afganë mund të mos jenë në gjendje të largohen nga aeroporti “Hamid Karzai”.

Nëse nuk do të ketë një tërheqje nga SHBA për të shtyrë afatin e largimit të trupave, fluturimi i fundit i arratisjes nga Kabuli mund të jetë të martën e ardhshme që është data 31 gusht. Megjithatë, asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë.

Ekziston rreziku që mijëra të lihen pas. Deri më sot, 12000 shtetas të huaj dhe afganë që punojnë për ambasadat dhe grupet e ndihmës ndërkombëtare janë evakuuar nga Kabuli, ndërsa 12 civilë janë vrarë në aeroportin e kryeqytetit afgan.

NATO i kërkoi presidentit amerikan Joe Biden të mos tërhiqte trupat në Kabul dhe të qëndronte në aeroport në mënyrë që sa më shumë civilë të largoheshin.

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg theksoi se “Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se afati është 31 gusht, por disa nga aleatët tanë kanë ngritur nevojën për një zgjatje të mundshme në mënyrë që më shumë njerëz të largohen”.

Tashmë gjithçka është në dorën e Joe Biden.