Paralajmëron Vishaj: “Delta” po përhapet shpejtë, qytetarët të vaksinohen sa më parë

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, në një lidhje direkte në emisionin Frontal ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit një repart i tërë i Klinikës Infektive është mbushur me pacientë të infektuar me COVID-19.
Ai ka treguar se nëse vazhdohet me këtë trend të infektimeve, plotësimi i kapaciteteve të tyre do të bëhet jashtëzakonisht shpejtë.

Përndryshe, Vishaj ka treguar se 7 pacientë të shtrirë në këtë klinikë janë edhe të vaksinuar, megjithëse ata po tregojnë një pasqyrë më të lehtë klinike.

“Në 24 orët e fundit ne kemi pasur 15 pacientë të pranuar, që do të thotë një repart i tërë është mbushur për 24 orë. Ne i kemi gjithsej 6 reparte, dhe rrjedhimisht në qoftëse vazhdojmë me këtë trend, plotësimi i kapaciteteve tona do të bëhet jashtëzakonisht shpejtë. Për momentin ne i kemi 52 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive. I kemi 41 pacientë me oksigjeno-terapi dhe 3 pacientë të shtrirë në mjekimin intensiv. Ne i kemi 7 pacientë që kanë qenë të vaksinuar, prej tyre 4 me dy doza, 3 me nga një vaksinë. Te këta pacientë kemi vërejtur se manifestimet klinike kanë qenë më të buta. Kemi pasur edhe 3 pacientë të tjerë që e kanë kaluar COVID’in”, ka thënë ai.

Tutje Vishaj ka thënë se raportet e IKSHPK’së kanë treguar që në masë të madhe varianti Delta i COVID-19 është i përhapur në vend.

Andaj ai është shprehur se popullata duhet që sa më shpejtë të vaksinohet kundër COVID-19.

“Ne e kemi përcjellur me vëmendje të madhe situatën edhe në vendet tjera, raportet kanë qenë që forma Delta përhapet jashtëzakonisht shpejtë dhe vaksinimi është i vetmi mjet i dobishëm dhe duhet që popullata sa më shpejtë të jetë e mundur të vaksinohet në mënyrë që këto shifra të mos jenë kështu siç janë”, ka shtuar ai.