Kroaci: Aksidentohet autobusi nga Kosova, dyshohet për 10 të vdekur

Të paktën 10 persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Kroaci.

Gazeta kroate Jutarnji.hr njofton se po ashtu janë lënduar edhe 30 të tjerë.

Sipas kësaj gazete autobusi i aksidentuar është me tabela të Kosovës dhe se vinte nga Frankfurti në drejtim të Kosovës.

“Rreth orës 06:22, Departamenti i Policisë në Brod mori një informacion se një autobus ishte aksidentuar. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes u theksua se po bëhej fjalë për një autobus me targa të Kosovës, nga linja e rregullt Frankfurt-Prishtinë. Një hetim është duke u zhvilluar që të dihet saktësisht se si erdhi deri tek aksidenti. Disa njerëz humbën jetën dhe 30 të tjerë u dërguan në spital. Çdo informacion i mëtejshëm do të jetë në dispozicion kur të ketë përfunduar hetimi”, tha shefi i policisë rrugore, Franjo Galiq.

Por në të përfunduar deklarimi i tij, nga administrata e policisë u tha se bëhet fjalë për 10 viktima.