PDK-ja ka filluar punimet në Konventën e 10-të Zgjedhore.
Sekretari i kësaj partie, Uran Ismaili, i cili hapi punimet e kësaj konvente, tha se kësaj konvente i mungojnë dy figurat kyçe të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilat po gjykohen në Hagë.
Derisa tha se nuk ka qenë e lehtë të shihet e ardhmja kah e shihnte UÇK-ja, ai shtoi se ashtu si UÇK-ja të ardhmene sheh edhe PDK-ja.
“PDK si trashëgimtare e saj, nuk mund të ishte ndryshe. Ajo u bë urë për ta lindur dhe ndërtuar shtetin. Këto ishin qëllimet dhe vlerat tona. PDK-ja sërish e sheh të ardhmen. Një PDK e fortë. Sërish do të jetë urë që e lidh Kosovën me një të ardhme më të mirë. PDK me vizion të qartë për t’i dhënë zgjidhje vendin është ajo që e presim qytetarët. PDK-ja nuk di ndryshe”, tha ai.
Ai tha se historia e PDK-së nuk është pasive, derisa ka shtuar se dobësimi i kësaj partie ka qenë qëllimi të tjerëve.
Ismaili kujtoi porosinë e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
“ ‘Kur ndalet PDK-ja, ndalet Kosova. Ruajeni njëri-tjetrin dhe mos u ndalni’ – Kjo është porosia që na ka dhënë Kadri Veseli”, tha ai.