Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbёrie Nagavci ka raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Tema për të cila u diskutua në këtë mbledhje kishin të bënin me të drejtat e vajzave që të shkojnë në shkollë me mbulesë si dhe çështja e personave të verbër dhe përfshirja e tyre në shkolla.
Nagavci ka thënë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të vështirësive që ka shkaktuar në mësimnxënie pandemia.
“Nuk kemi ndonjë rast nga shkollat lidhur me atë që na keni thirr për të biseduar”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Komisionit, Dude Balje ka thënë se problemi është shumë i qartë ngase mungon ligji për ndalesën ose lejimin e një vajzë me mbulesë në shkollë, duke shtuar se akoma vendoset siç duan në shkolla.
Balje ka kërkuar që këtyre vajzave t’u mundësohet të ndjekin mësimin dhe kjo sipas saj, duhet të specifikohet me udhëzim administrativ.
“Duhet të bisedojmë se a është shamia pjesë e uniformës shkollore. Ne duam që ta specifikojmë më ligj që asnjë vajzë mos me pas problem”, ka thënë ajo.
Ariana Musliu-Shoshi deputete e PDK-së ka thënë se personalisht ka pranuar ankesa nga disa vajza që nuk janë lejuar të ndjekin mësim.
“Sa raste i keni dhe në cilat nivele ka pyetur ajo, a do ta lejoni lëndën fetare në shkollat publike”, ka pyetur ajo.
Nagavci ka thënë se problemi që po e diskutojnë është mirë e definuar me Kushtetutë dhe nenet e saj.
“Për ne është e rëndësishme që secili fëmijë të vijoj mësimin në rregull. Për ne është e rëndësishme të krijojmë mjedise të sigurta ku të gjithë fëmijët të ndihen të barabartë. Në këtë mënyrë rekomandohet edhe bartja e uniformës”, ka thënë ajo.
“Nuk kemi të dhënë zyrtare që ndonjë fëmija i është mohuar e drejta për mësim”, shtoi ajo.