Nis shembja e një kishe në Republika Srpska

Më 5 qershor, nisi shembja e një Kishe Ortodokse që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e një gruaje myslimane të Bosnjës. Kisha ishte ndërtuar në fshatin Konjeviq Polje në pjesën e kontrolluar nga entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në tetor të vitit 2019, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, urdhëroi shembjen e Kishës, që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e Fata Orloviqit. Kjo e fundit, ishte detyruar që të largohej nga shtëpia e saj gjatë luftës më 1992-1995.Më 1993 serbët kishin dëbuar banorët myslimanë të këtij fshati për në Srebrenicë, që ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, por që dy vjet më vonë, rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë u vranë. Kjo konsiderohet si mizoria më e tmerrshme në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Dy gjykata ndërkombëtare, masakrën në Srebrenicë, e kanë cilësuar si gjenocid.Bashkëshorti i Fatas, së bashku me 20 anëtarë të tjerë të familjes, ishte vrarë nga forcat serbe në masakrën e Srebrenicës më 1995.Fata Orloviq, që tashmë është 78-vjeçare, dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes, kishin arritur t’i shpëtonin masakrës, por më pas kur u kthyen në shtëpi, e panë se vetëm disa metra nga shtëpia e tyre, kishte nisur ndërtimi i një kishe.Gjykata vendosi se ndërtimi i kishës më 1998 ishte ilegale dhe urdhëroi autoritetet që të sigurohen që ky objekt do të shembej.Vajza e Orloviqit, Hurija Kariq i tha Radios Evropa e Lirë se shembja e kishës ishte “fitore për nënën time dhe për të gjithë familjen, si dhe fitore për gjithë Bosnje dhe Hercegovinën”.Që prej vitit 2000 kjo familje ka zhvilluar beteja gjyqësore për shembjen e kësaj kishe.Ky rajon është kontrolluar nga serbët që prej përfundimit të luftës, kur Bosnja u nda në dy entitete – Federata e myslimanëve dhe kroatëve dhe entiteti i udhëhequr nga serbët, që njihet edhe si Republika Srpska. Këto dy entitete kanë qeveritë e tyre përkatëse dhe kanë edhe institucione të përbashkëta qendrore.