Reagon ashpër Federata e Futbollit të Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës e vlerëson plotësisht të pabazë dhe spekulim të pastër lajmin e publikuar në njërin nga portalet vendore se kinse Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka diskutuar zgjerimin e mëtejmë të Ligës së Parë në 24 skuadra për edicionin e ardhshëm, të ndara në dy grupe me nga 12 skuadra.

FFK sqaron se një gjë e tillë nuk është diskutuar asnjëherë në KE dhe në asnjë organ tjetër të FFK-së.

Shkrimet e tilla po bëhen me qëllim për ta vënë në lajthitje opinionin futbolldashës, e jo klubet sepse ato nuk bien pre e lajmeve të tilla të rrejshme, ngase e kanë të ditur formatin e garave në të gjitha ligat.

Klubet janë të vetëdijshme se këto “portale” thuajse në baza ditore publikojnë lajme të pavërteta rreth FFK-së dhe e dinë fare mirë çfarë qëllimesh kanë.

Prandaj, me këtë rast sqarojmë opinionin se KE i FFK-së më 16 dhjetor të vitit të kaluar e ka aprovuar kërkesën e klubeve që Liga e Parë edhe në edicionin e ardhshëm të luhet në dy grupe me nga 10 skuadra.

Kjo për faktin e vetëm që t’u dilet në përkrahje klubeve pasi futbolli është ende duke u luajtur në rrethana të pandemisë, mirëpo asnjëherë nuk është diskutuar për zgjerimin e mëtejmë të kësaj lige.

Përkundrazi, strategjia e FFK-së është që në të ardhmen edhe Liga e Parë të funksionojë si ligë unike e jo e ndarë në grupe.