Paralajmëron Shoqata e Gastronomëve: Asgjë s’ka ndodhur, çka pritet të ndodhë

Qeveria e Kosovës mori vendim që nga data 7 deri më 18 prill të mbyllet gastronomia, qendrat tregtare dhe të startohet me orë policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Por me këtë vendim të Qeverisë për mbyllje nuk janë pajtuar që nga fillimi përfaqësuesit e gastronomisë, hotelerisë e përfaqësues të tjerë.

Është vetë Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi i cili ka folur rreth efektit negative që pandemia COVID-19 dhe masat që u morën i sollën bizneseve kosovare, më konkretisht sektorit të gastronomëve.

Përmes një publikimi në Facebook, Kllokoqi tha se bashkë me kryetarin e Odës së Hotelerisë së Kosovës dhe kryesinë e Shoqatës kanë zgjedhur rrugën e bashkëpunimit me institucionet, me shpresën se edhe katër ditë do të dalin nga kjo krizë, transmeton lajmi.net.

“Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë”, tha ndër të tjerash Kllokoqi.

Duhet përkujtuar që vendi po vazhdon të përballet me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 që nga marsi i vitit të kaluar.

Pavarësisht masave që u morën kohë pas kohe numri i rasteve vazhdon të jetë mjaftë i lartë derisa pacientë të shumtë humbën jetën si pasojë e përballjes me këtë virus.

Por përpos kësaj dëme të shumta gjatë kësaj kohe u shkaktuan edhe në ekonominë e vendit, ku biznese të shumta u shuan dhe qytetarë të shumtë mbetën pa vend të punës.

Postimi i plotë:

Që 400 ditë tu e ngritë zanin e gastronomëve për padrejtësi, që një muaj tu punu me e gjetë zgjidhjen për t’ardhmen që do t’na gjejë këtë vit… Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë në qoftëse nuk e hapim verën!

Plazhet mërgata do t’i bëj në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, etj. Dasmat në Shëngjin e Kuks. Nejat dhe klubet do t’i orientojmë në Durrës e Dhërmi. Infuzionin tonë kryesor do ta humbim: R E M I T E N C Ë N

Në mes të protestës, fyerjes, penalizimit, ne po e zgjedhim bashkëpunimin dhe konsultimin.

Si kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ftova për të na u bashkuar në kërkesat tona, kryetarin e Odës së Hotelierëve të Kosovës, Hysen Sogojeven, dhe kryesinë e Shoqatës. Të bashkuar për me çu përpara dhe mbrojt interesat e përbashkëta.

Krejt bashkë drejtuar Qeverisë, që së bashku të dalim nga kjo krizë që padrejtësisht më së shumti na dëmtoi dhe vazhdon të na dëmtojë ne.

Urojmë që këto 4 ditë do të gjejmë një rrugë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për të dalë nga kriza, në të kundërtën virusin e “parandaloni”, veç në fundvit mos vajtoni për zbrazjen e vendit nga rinia, sikur ikja e dikurshme nga stacionët e autobusëve!