Kurti pas takimit me Kasanof, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Pas takimit të tyre në New York në fundin e muajit të kaluar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e mirëpriti tashmë në Prishtinë Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof. Ky i fundit shoqërohej në këtë takim nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhjen z. Kasanof në këtë vizitë të tijën të parë në vend, gjersa shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.

Shtoi se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë. Kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.

Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Në këtë takim, kryeministri Kurti shoqërohej dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.