Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në 25 vjetorin e themelimit të partisë tha se kjo parti qëndron si testament se Kosova meriton të ekzistojë si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe me perspektivë.
Kryetari Krasniqi duke uruar për këtë përvjetor jubilar dy liderët Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, u shpreh se ndjehet krenar trashëgiminë politike të PDK-së.
“Kur popullit tonë i cenohej identiteti, gjuha, shpresa dhe vetë ekzistenca, të rinjtë trima si Hashim Thaçi, Kadri Veseli e shumë bashkëveprimtarë dhe bashkëveprimtare të tyre, shumë prej të cilëve i kemi edhe sonte prezent këtu, u ngritën në këmbë dhe formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, organizimin më të suksesshëm politiko-ushtarak në historinë tonë, si ADN-ja e partisë tonë. Këta trima vizionarë nuk e bënë luftën vetëm për trojet tona, sepse ajo ishte shumë më shumë se aq, ata bënë një luftë që ishte për të drejtën për të ekzistuar si popull i lirë. Kur lufta u fitua dhe armët heshtën, po ata udhëheqës e dinin se qëllimi ynë nuk ishte arritur ende. Dhe kështu, më 10 tetor të vitit 1999, shumë prej jush u organizuat politikisht për të formuar Partinë Demokratike të Kosovës, duke e ditur se ardhmja e Kosovës kishte nevojë për lidership dhe jo çfarëdo lidershipi, por lidership të fortë, të guximshëm dhe vizionar. Siç e dimë të gjithë, pjesa tjetër është histori: Që nga ajo ditë, PDK-ja udhëhoqi detyrën për të ndërtuar një Kosovë të re. Nën udhëheqjen tonë, ne ndërtuam shtetin e Kosovës nga brenda dhe i dhamë asaj një vend në botë. Çdo hap që hidhnim, na afronte më shumë me të ardhmen që ëndërronim. Prandaj, derisa festojmë 25 vjetorin e Partisë Demokratike të Kosovës, ju lus të gjithëve që jeni sot që t’ia rikujtoni gjithmonë vetes një gjë: Partia Demokratike e Kosovës është një histori e jashtëzakonshme e dashurisë, sakrificës dhe kontributit për Kosovën!”, theksoi ai.
Krasniqi rikujtoi se kur ndalet PDK-ja, ndalet Kosova, sepse PDK vuri Kosovën në hartën e botës, duke vendosur themelet e një shtetit demokratik dhe perëndimor.
“Krenohu me Kosovën”. Ky ishte sllogani, motivi dhe vizioni ynë, me të cilin garuam dhe fituam zgjedhjet e vitit 2007. Vetëm disa muaj më pas, më 17 shkurt të vitit 2008, nën udhëheqjen e PDK-së, Kosova shpalli pavarësinë e saj, një pikë kthese historike jo vetëm për ne, por edhe për brezat e ardhshëm. Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo që ndërtoi rrugë e autostrada. Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo që ndërtoi shkolla dhe spitale. Ishte Partia Demokratike e Kosovës që rriti pagat dhe krijoi vende të reja të punës”, tha ai.
“Sot, pikërisht këta njerëz janë të zhgënjyer dhe e ardhmja dikur e ndritur e Kosovës, sot duket e largët dhe e paarritshme. E sa herë që Kosova është në dhembje, unë dhe ju së bashku e dimë se ky është një kushtrim për Partinë Demokratike të Kosovës, një thirrje e painjorueshme për bashkim, veprim e mobilizim. Sepse historia e Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me atë që kemi bërë dje, por me atë që do të bëjmë nesër”, shtoi ai.
Kreu i PDK-së u bëri thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të partisë që të mobilizohen për fitore në zgjedhjet e përgjithshme, për të arritur Rilindjen e Kosovës.
“Ngrihuni një herë. Ngrihuni dy herë. Ngrihuni tri herë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për Kosovën dhe bashkë, të dëshmojmë përsëri se ne mundemi ta bëjmë këtë tokë sërish një vend krenarie. Andaj, me 9 shkurt, Partia Demokratike e Kosovës, me besimin dhe mbështetjen tuaj, e ka marrë obligim që ta kthej përsëri Kosovën në rrugën e drejtë. E për këtë mision, për këtë qëllim, ne kemi përzgjedhur njeriun e duhur dhe profesionist, mikun tim dhe tuajin, Bedri Hamzën. Urime 25 vjetori i themelimit të PDK-së të gjithëve”, përfundoi Krasniqi.