Peja shpall më të mirët, Distria Krasniqi pranon çmimin e “Sportistes së Vitit” nga Agim Ademi

Komuna e Pejës ka mbajtur sot ceremoninë e shpalljes së sportistëve më të dalluar të vitit 2023. Pa dyshim në shpalljen e më të mirëve kanë mbizotëruar xhudistët, ngase Peja është qytet i kampionëve evropian, botëror e olimpik të këtij sporti. E në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili nga organizatorët u nderua me ndarjen e çmimit për “Sportisten më të mirë të vitit”, epitet i cili i ka takuar kampiones olimpike në xhudo, Distria Krasniqi. Ndërkohë, epiteti i “Sportistit të vitit” i takoi Akil Gjakovës.

Postimi i plotë i Ademit:

Sonte pata kënaqësinë të marrë pjesë në manifestimin e shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit 2023 në Komunën e Pejës. Në këtë ngjarje, u nderova me ndarjen e çmimit për sportisten më të mirë, i cili i takoi xhudistes, Distria Krasniqi. Paraqitjet e jashtëzakonshme të saj në arenën ndërkombëtare bënë krenare jo vetëm Pejën, por edhe të gjithë Kosovën.Falënderoj drejtoreshën për Kulturë, Rini e Sport, Xhenet Syka dhe Komunën e Pejës për respektin ndaj meje dhe bashkëpunëtorëve të mi.