“Ka rrëfyer version tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar” – Avokatja tregon si është mbrojtur para Prokurorisë Naim Murseli

Naim Murseli, i dyshuar për porositjen e vrasjes së Liridona Ademajt është intervistuar sot në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Kështu ka konfirmuar për Insajderin avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, e cila ka theksuar se Murseli ka rrëfyer versionin e tij të mbrojtjes tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar.

Sot para Prokurorisë Themelore- departamenti për Krime te Renda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e Rëndë’ në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe i pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato socialeMe qenë se sot është ndërpre deklarimi i të pandehurit për shkak të mbarimit të orarit dhe deklarimi nuk ka arritë të përfundojë, është caktuar një datë tjetër për vazhdimin e marrjes në pyetje të të pandehurit”, ka thënë Zhinipotoku.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj për të kuptuar më  shumë detaje rreth rastit, por e njëjta u shpreh se nuk mund të jap detaje të hollësishme në këtë fazë të hetimeve.

“Të nderuar, kjo çështje penale ndodhet në proces hetimor, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të detajuara, deri në një fazë tjetër”, deklaroi ajo për Insajderin.

Theksojmë se Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë janë në masën e paraburgimit nën dyshimet e vrasjes së Liridona Ademajt. Liridona Ademaj është vrarë me 29 nëntor të vitit të kaluar.