Besart Berisha, tani 38-vjeçar, pas një karriere të gjatë e të pasur në botën e futbollit, edhe zyrtarisht i e ka nisur zejën e trajnerit si ndihmës te FC Prishtina.
Berisha karrierën e tij futbollistike e nisi prej gjeneratave U19 në Gjermani te Lichtenbergu në vitin 2003 e për të luajtur deri në vitin 2021, për plotë 18 vite karrierë në shumë ekipe të njohura europiane e botërore.
Ish – sulmuesi i Shqipërisë dhe Kosovës ka luajtur për skuadra të njohura si Hamburg, Armenia Bilefield, Burnley, Aalborg, Rosenborg, Brinsbare Roar, Melbourne, Hiroshima, Western United dhe krejt në fund te FC Prishtina.
Përveç këtyre skuadrave, Berisha është paraqitur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë dhe të Kosovës, duke qenë shembull për lojtarët e tjerë se ndjenjat për atdheun nuk mundet t’i ndryshoj askush.
Besart Berisha në një intervistë për Gazetën Enigma, ka rrëfyer se kur nisi rrugëtimin në futboll, si cilat ishin përvojat e tij në klubet e mëdha botërore dhe përse i hyri zejës së trajnerit, si e sheh punën e FFK-së.
38-vjeçari tregon për Gazetën Enigma se si nisi rrugëtimi i tij në futboll, kush e dërgoi në shkollë të futbollit e kush i gëzohej më së shumti golave të tij.
“Kontaktin e parë me futboll e kam nisur si të gjithë fëmijët në lagje me shokët. Babai im ka qenë fans i madh i futbollit, ka pas dashni të madhe ndaj futbollit dhe ai ka qenë që më ka dërgu në shkollë të futbollit. Aty nisa t’i japi shkëndijat e para. Ka qenë një urë lidhse në mes meje dhe babait tim, sepse ai më ka qëndruar afër çdo lojë, çdo herë që bëja goll ai u gëzonte më shumë se unë”, shprehet fillimisht legjenda e futbollit, Besart Berisha.
Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës, tregon për dallimet në ligat ku ka luajtur ai.
“Çdo ligë ka sfidat e veta, Anglia dihet se luan fizikisht dhe taktikisht më shumë. Gjermania ka futboll me intensitet deri në minutë të fundit. Patjeter që është kënaqësi të luash në Azi. Kam përjetur shumë histori me klube. Në Australi jam zgjedhur gollashënuesi më i mirë për disa vite më radhë dhe kam fituar çdo titull të mundshëm, në Japoni kam mësuar shumë kultura”, zbulon për Gazetën Enigma, Besart Berisha.
38-vjeçari është paraqitur për shumë skuadra në kampionate të ndryshme, ai tregon se cili ka qenë përvoja më e mirë në futboll si futbollist.
“Kujtimi më i mirë që më ka ndodhur si futbollist është me klubin gjerman Hamburg, kur kemi luajtur në Bundesligë dhe Champions League me skuadra si Arsenali, Porto dhe CSKA Moscoë dhe golin që e kam shënuar ndaj CSKA-s, është një ndnjenjë e veçantë për çdo sulmues” zbulon ai.
CILA ISHTE ARSYEJA QË BESART BERISHA I HYRI ZEJËS SË TRAJNERIT
Berisha tregon në detaje se përse i hyri zejës së trajnerit, cilat janë planet e tij për të ardhmen dhe përse pikërisht e nisi me FC Prishtinën.
“Planet e mia për të ardhmen sigurisht që lidhen ngushtë me sportin, më saktësisht me lojën e futbollit dhe dua të jem gjithmonë pranë futbollistëve duke u munduar që ta tranmetojë të gjithë përvojen dhe njohuritë e mia tek futbollistët e rinjë në vendin e punës në të cilin me kënaqësinë më të madhe jamë duke punuar dhe vepruar për momentin”, potencon ai.
Besarti thotë se është i lumtur që është pjesë e stafit të Prishtinës si ndihëms trajner i Emanuel Egbos. Ai thotë se me një punë të mirë së bashku arritën që të kurorëzohen me trofeun e Superkupës.
“Fillimisht jam shumë i lumtur që jam asistent trajner i klubit më të madh të futbollit FC Prishtina, klubi më i madh dhe më trofeshëm në Kosovë. Shumë shpejtë me një punë të mirë, bashkë me stafin e mrekullueshëm dhe një grup të futbollistëve shumë të mirë arritëm ta fitojmë Superkupën. Mua si trajner i ri, ky trofe me jep motiv të punoj edhe më shumë dhe të ndihmoj me përvojën time profesionale që klubin ta rritim në nivelet më të larta evropiane”, thotë Besart Berisha i cili është i motivuar pas fitimit të Superkupës së Kosovës ndaj Ballkanit.
Sipas Besart Berishës, niveli i futbollit po rritet çdo vit e ma shumë.
“Futbolli në Kosovë është duke u rritur çdo vit e më shumë, po e shohim çdo vit se futbollistët po dalin nga Kosova e po luajnë në liga evropiane pa problem dhe kjo dëshmon se po bëhet punë e madhe nga klubet kosovare”, potencon Berisha.
Besart Berisha i ka hyrë zejës së trajnerit me një synim të qartë, që të lërë gjurmë në këtë profesion dhe të bëjë histori me klubet që do t’i drejtoj ai.
“Arsyeja që i kam hyrë kësaj zeje është që të lë gjurmë të bëhem trajner ndërkombëtarë e ta shkruaj historinë me klubet që do t’i drejtoj të ardhmen”, tregon synimin e tij si trajner Besart Berisha.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka bërë të ditur se Besart Berisha do të angazhohet si trajner te gjeneratat e reja. Berisha thotë se çdo pozitë që i besohet nga i pari i FFK-së, do ta jap maksimumin.
“Në çdo pozitë që do të më besohet nga i pari i FFK-së, Agim Ademi, unë do të mundohem ta bëj maksimumin tim. Une besoj që me bagazhin tim do të bëjë gjera të mira në futbollin e Kosovës. Unë kam qenë pjese e dy kombëtarëve, Shqipërisë dhe Kosovës dhe e di shumë mirë se mund të kontribuoj me ekspeeriencën time”, vlerëson Besart Berisha.
Ish-futbollisti i Burnleyt thotë se kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka bërë punë të madhe në futbollin e Kosovës.
“Pas shumë takimeve të shumta unë e vlerësoj kryetarin Agim Ademin, sepse ai po bën shumë punë të madhe për futbollin e Kosovës”, e vlerëson punën e Ademit, Besart Berisha.
Krejt në fund Besart Berisha e ka një mesazh për lojtarët që po hezitojnë t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës.
“Unë personalisht në karrierën time kam luajtur për vendim tim për Shqipërinë dhe për Kosovën, sepse kështu më ka thënë zemra. Çdo futbollist duhet të dëgjojë atë që thotë zemra. Kam pasur mundësinë të luaj për Gjermanin, por zgjedha Shqipërinë në momentet më të mira të karrierës time dhe jam krenar për vendimin tim. Të jesh në gjendje të shkruash historinë e vendit tënë është diçka e veçantë edhe nuk do të harrohet kurrë dhe do të jesh përgjithmonë në zemrat e tyre.