Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për emisionin A PLAY në ATV, ka treguar arsyen se pse nuk është arritur marrëveshja me trajnerin Robert Moreno për ta drejtuar Kombëtaren e Kosovës.
“Sigurisht që ne jemi në kontakte, kemi folë me Moreno-n dhe do të mundohemi me e bam ë të mirën për selektorin më të mirë ta zgjedhim për ne, i cili duhet me e pasë një projekt, një program që ne na mbush mendjen dhe që ne realisht e shohim që ai ka atë që neve na intereson më së shumti”, tha Ademi.
Ai thotë se një nga arsyet pse Moreno zgjodhi ekipin Sochi në Rusi, kanë qenë edhe arsyet ekonomike.
“Marrëveshja me Moreno-n nuk është arritur se sigurisht që ai arsyen e tij që e ka dhënë, na ka shkruar një letër shumë shoqërore dhëna ka vlerësua tepër mirë neve, edhe pse ka thënë se “në ekipet nacionale ëndërroj dhe njëherë duhet ta kem pikërisht Kosovën apo një kombëtare tjetër, por për momentin rezultatet e mia në kombëtare i kam pasur si ndihmës i Luis Enrique-s, në kohën kur e ka udhëhequr vet, i kam udhëhequr 10 ndeshje dhe e kam njëfarë rezultati, ia numëroj edhe vetes atë rezultat, për vet faktin që e kam udhëhequr vet dhe jam kualifikuar me Spanjën. Por, te ekipet nuk e kam pasur një rezultat të mirë te disa ekipe që kam qenë. Dhe, si trajner i ri që jam, kam qejf me u dëshmu te një ekip dhe ishte sfidë për mua më interesante”. Sigurisht edhe ekonomikisht më e mirë ka qenë Sochi i Rusisë dhe ajo ka qenë arsye e tij që ka shkuar në atë klub”, tregoi Ademi.