Ky është urimi i Agim Ademit për vitin 2024

Të nderuar anëtarë të familjes së madhe të futbollit në Kosovë!

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ju bashkatdhetar!

Të dashur Dardanë,

Në prag të ndërrimit të mot-moteve, dëshiroj të ju dërgoj urimet më të ngrohta për një Vit të Ri të begatë dhe të suksesshëm në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Viti që po lëmë pas ka qenë i mbushur me sfida por edhe arritje për futbollin e Kosovës. Lojtarët tanë kanë treguar pasion dhe talent në skenën ndërkombëtare, ku 5 prej tyre kanë fituar tituj kampionësh në ligat evropiane, derisa të tjerët kanë shënuar po ashtu një vit të suksesshëm, duke sjellë krenari dhe lavdi për shtetin tonë.

Kemi shënuar fitore emocionuese, por kemi kaluar edhe në periudha të vështira së bashku, ndërkaq klubet dhe tifozët kanë qenë burim frymëzimi për suksese. FC Ballkani u konfirmua storie suksesi, ku për herë të dytë radhazi arriti fazën e grupeve në UEFA Conference League, derisa edhe gjyqtarët na përfaqësuan në mënyrë të denjë në ndeshjet ndërkombëtare.

Për Vitin e Ri 2024, shpreh dëshirën time më të sinqertë për vazhdimin e zhvillimit dhe suksesit të futbollit kosovar.

Të punojmë së bashku me përkushtim e pasion për të sjellë futbollin në nivele të reja, duke nxitur zhvillimin e talenteve vendore dhe duke u kujdesur për mirëqenien e futbollistëve, trajnerëve dhe të gjithë personelit të përfshirë në futboll dhe kësisoj të ndërtojmë një komunitet të fortë e të bashkuar.

Me një qasje të guximshme dhe një vizion të qartë, besoj se do t’ia arrijmë këtij qëllimi dhe do të korrim suksese të mëdha në skenën ndërkombëtare.

Si presidenti i FFK-së, së bashku me KE-në dhe stafin e federatës do të angazhohemi maksimalisht për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit në të gjitha nivelet.

Me mbështetjen e secilit prej jush jam i bindur se do t’i arrijmë objektivat dhe do t’i bëjmë krenarë të gjithë ata që janë pjesë e këtij rrugëtimi.

Edhe një herë, ju dërgoj urimet më të ngrohta dhe u dëshiroj një Vit të Ri plot me shëndet, sukses dhe përparim për ju, ekipet tona, dhe për të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë.
Le të jetë 2024-ta vit i ngritjes së ekipeve tona,
vit i suksesit tonë në të gjitha segmentet, vit i shëndetit, begatisë dhe lumturisë. Vit i krenarisë…

Gëzuar 2024????????⚽️????????