Gazeta spanjolle AS cilëson udhëtimin e Muriqit si asgjë dhe të kotë

Gazeta e njohur spanjolle “AS” e ka quajtur plotësisht të pakuptimtë grumbullimin e Vedat Muriqit me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Grumbullimi i Kosovës ka nisur të hënën, për dy ndeshje të “Dardanëve” në muajin tetor, të vlefshme për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm. Sulmuesi i Mallorcas, Muriqi, shkaku i kartonit të kuq të marrë në duelin kundër Rumanisë në muajin e kaluar, nuk mund të luajë kundër Andorrës, ndërsa ndeshja tjetër e Kosovës kundër Izraelit më 15 tetor, është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkak të situatës në Izrael.

“Futbollisti i Kosovës ka udhëtuar me ekipin e tij për asgjë, sepse në kalendarin e datave për përfaqësuese ai nuk do të luajë në asnjërën prej dy ndeshjeve kualifikuese për ‘Euro 2024’. Të enjten, Kosova luan në orën 20:45 kundër Andorrës në ndeshjen e xhiros së shtatë të fazës grupore të Grupit I, por sulmuesi është i suspenduar dhe nuk do të mund të luajë në ndeshje”, ka shkruar “AS”, duke e përkujtuar kartonin e kuq të ndeshjes në Rumani, që përfundoi me fitoren 2:0 në të mirë të rumunëve.

“Në anën tjetër, ndeshja në Prishtinë të dielën më 15 tetor kundër Izraelit, është shtyrë për shkak të situatës në Izrael, dhe nuk ka datë se kur do të luhet sepse UEFA nuk e ka dhënë ndonjë koment shtesë për këtë çështje”, ka shtuar tutje gazeta spanjolle.

Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, pritet të kthehet te skuadra të hënën dhe t’i nis përgatitjet me ekipin.