Këshilltari i Kurtit reagon pas përleshjes: Pasi s’kanë argumente, përdorin grushta

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përleshjes fizike që ndodhi në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të opozitës dhe ministrave.

Zulfaj ka shkruar, duke iu referuar opozitës, se përdorin grushte kur nuk kanë argumente, teksa ka shtuar se kësisoj e tregojnë veten por qeverinë nuk e frikësojnë.

“Pasi s’kanë argumente përdorin grushta, por vetën e tregojnë se qeverinë nuk e frikësojnë”, ka shkruar Zulfaj.

Ndryshe, sot në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një përleshje fizikei.

Përderisa kryeministri, Albin Kurti ishte duke folur në foltoren e Kuvendit, ai është sharë dhe ofenduar nga deputetët e opozitës.

Gjatë fjalimit të Kurtit, zëvendëskryeministri Bislimi largoi një fotografi ku shihet fotografia e kryeministrit me hundë të madhe.

Nga pamjet e kamerave shihet se deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku shkonte drejt foltores së Kuvendit, ku ishte duke folur kryeministri Kurti e të cilit i hodhi ujë.

Pas kësaj ka reaguar ministri Murati për ta ndalur teksa zv/kryeministri Bislimi e gjuajti me një shishe Lushtakun.

Në përleshje përfshihen edhe deputetë tjerë të PDK-së, ku nga pamjet shihet se Hajdar Beqa e godet ministrin Murati dhe shtynë ministren Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar që të ndërhyjë Policia e Kosovës.

Pas kësaj Kuvendi ka shkuar në pauzë për 30 minuta.