Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale se ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në Gjakovë, saktësisht në fshatin Madanaj.
Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka bërë të ditur se njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri rrugës për në spital.
Graishta ka njoftuar se deri më tani kanë një të dyshuar, mirëpo që ende nuk është arrestuar.
“Bëhet fjalë për një vrasje të dyfishte në Gjakovë në fshatin Madanaj, për atë që ne kemi informacion viktimat janë dy vëllezër. Po supozojmë që kemi një të dyshuar të indentifikum, mirëpo ende nuk është arrestuar. Jemi duke e hetuar rastin. Ajo çfarë mundem me konfimu është se njëri nga viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri rrugës për në spital gjë të cilën e ka konfirmuar mjeku kujdestar.” – ka bërë të ditur ai.
Nga ana tjetër për Gazetën Nacionale ka dhënë detaje edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ku ka njoftuar se dy viktimat janë qëlluar me armë zjarri.
Elezaj ka bërë të ditur se dy viktimat kanë qenë meshkuj të moshës madhore.
“Mund t’ju konfirmoj se sonte rreth orës 20:20 kemi pranuar informatë se në fshatin Madanaj-Gjakovë dy persona dyshohet të jenë qëlluar me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave meshkuj të moshës madhore. Në këto momente janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin.” – ka njoftuar Elezaj