Presidenti Ademi takoi homologun çek, Peter Fusek

Presidenti Agim Ademi, zhvilloi një takim me presidentin e Federatës së Futbollit të Çekisë, Peter Fusek. Ky i fundit i shprehu mirëseardhje kreut të FFK-së në Pragë dhe e përgëzoi për punën e tij në organizimin shumë të mirë dhe profesional të federatës, veçanërisht në aspektin e administratës. Ai kujtoi vizitën e tij në Kosovë në vitin 2016 për organizimin e administratës së FFK-së pas pranimit në UEFA.

Nga ana e tij, presidenti Ademi e uroi homologun e tij për punën e tij të shkëlqyeshme në krye të Federatës së Futbollit të Çekisë dhe po ashtu në UEFA. Ai e përgëzoi presidentin Fusek për zgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-së, ku u zgjodh me 40 vota. Presidenti Ademi gjithashtu e falënderoi presidentin Fusek për punën e tij në FFK pas pranimit në 2016, kur ai si ekspert i deleguar i UEFA-së qëndroi në Kosovë dhe organizoi administratën e FFK-së sipas strukturës organizative të UEFA-së. Ademi i vuri në pah presidentit Fusek se edhe sot ende përfitohet nga eksperienca e tij dhe administrata e FFK-së punon në përputhje me udhëzimet e tij.

Falë mbështetjes së tij dhe të UEFA-së, FFK tani ka një administratë të konsoliduar, profesionale dhe të specializuar në shumë sektorë sipas statutit të ri dhe organizimit të ri. Ademi e njoftoi homologun çek se tani të gjithë sektorët funksionojnë në mënyrë të shkëlqyeshme brenda tyre dhe me sektorët e UEFA-së. Presidenti Fusek u ndje shumë i lumtur për informacionet që mori rreth organizimit të FFK-së dhe e përgëzoi presidentin Ademi për ndryshimin e statutit të Federatës dhe lavdëroi ekipin e UEFA-së dhe FIFA-së, të cilët kontribuuan në përpilimin e statutit të ri, i cili është i ndër më modernët. Ai gjithashtu theksoi kontributin e Sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Hodaj, si ekspert juridik dhe ekspertëve të zyrave ligjore dhe regjionale dhe klubeve.

Në fund, presidenti Ademi uroi presidentin Fusek për organizimin perfekt të finaleve të UEFA Conference League në Pragë, mes Fiorentinës dhe West Ham United.