Ekipi nga UEFA Grow me përshtypje shumë të mira pas punës treditore në Kosovë

Ekipi nga UEFA Grow është ndarë tejet i kënaqur me vizitën në Kosovë, në kuadër të mbështetjes së hartimit të strategjisë së investimeve kapitale të FFK-së.

Ata, gjatë kësaj vizite treditore krahas takimeve me krerët e federatës dhe të gjithë sektorët e saj, kanë takuar edhe ministrin e Sportit, kreun e komunës së Prishtinës, si dhe partnerët e FFK-së.

Në përfundim të vizitës së tyre, presidenti Agim Ademi dhe dy nënkryetarët Bakir Burri e Agim Dibrani i kanë falënderuar ata për përkushtimin dhe punën e tyre me qëllim të hartimit të një plani të përbashkët strategjik.

Ndërkaq, përshtypjet e tyre për këtë vizitë pune ata i dhanë për faqen zyrtare të FFK-së.

“Në tri ditët e fundit patëm një punë shumë intensive dhe produktive. Jemi shumë të inspiruar me atë që kemi parë këto ditë këtu. E keni një ekip të mrekullueshëm në federatë dhe jeni vend me rini shumë të mirë. Së bashku po shohim rrugën përpara në zhvillim të futbollit. Është kënaqësi e jona që ta sjellim përvojën nga e tërë bota dhe së bashku t’i gërshtojmë strategjitë drejt zhvillimit të futbollit në Kosovë. Ka qenë një vendosmëri e madhe e federatës për hartimin e kësaj strategjie dhe tani presim të vazhdojmë punën”, ka theksuar kryesuesi i ekipit UEFA Grow, Oleksandr Kucheriavyi.

Fjalë të mira për ekipin e FFK-së dha edhe anëtari tjetër i këtij ekipi Adam Walker. Ai tha se të gjitha takimet kanë qenë të dobishme dhe është punuar me përkushtim.

“Kemi kuptuar më shumë rreth punës tuaj fantastike sidomos drejt lojës së zhvillimit të lojës së futbollit. Ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm të vinim këtu dhe të mësonim për vendin tuaj por edhe për zhvillimin e futbollit, në mënyrë që të jemi në gjendje t’ju ndihmojmë në hartimin e planit strategjik”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Phil Taylor ka theksuar se pas tri ditëve intensive me shumë biseda përmbajtësore, tani është koha për t’i ndërlidhur të gjitha idetë dhe diskutimet në një plan strategjik, i cili do të ketë ndikim për një të ardhme të ndritur të futbollit të Kosovës.