Ademi: Nuk prisja ato fyerje nga një legjendë si Stojkoviq

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se është befasuar keq kur ka dëgjuar gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi, se si seleksionuesi i Serbisë, Dragan Stojkoviq, shau shqiptarët në momentin kur Serbia kaloi në epërsi.

“Nga një legjendë si Piksi, nuk e prisja të shante nënat shqiptare”, ka thënë Ademi për “Danas”. “Ai ishte një legjendë e Jugosllavisë, ne bënim tifo për të derisa jetonim në një shtet të përbashkët, shijonim driblimet e tij dhe aftësitë e tij. E shikonim drejtpërdrejt edhe në Ligën e Parë të atëhershme. Shumë shqiptarë nga Kosova e donin atë si futbollist dhe habiten që ai u soll kështu edhe në një ndeshje që nuk ishte kundër Kosovës por kundër Zvicrës. Gjëra të tilla nuk duhet të thërrasin as tifozët në tribuna, e lëre me një pjesëmarrës në ndeshje në fushë”, tha Ademi.

Ademi ka thënë se janë gjëra tjera ato që bën publiku, dhe se pjesëmarrësit në ngjarje sportive nuk duhet të marrin pjesë në këtë dhe as të ofrojnë shkas.

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë ankesë në FIFA për sjelljen e pahijshme të Stojkoviqit e po ashtu për fyerjet nacionaliste gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi. FIFA ka nisur procedurë.

Ademi ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë se cili do të jetë vendimi i FIFA-s.

“FIFA dhe UEFA nuk tolerojnë nacionalizmin dhe përhapjen e intolerancës kombëtare. Por, tashmë u takon atyre se çfarë lloj dënimi do të vendosin”, tha Ademi. “Na befasoi në mënyrë të pakëndshme edhe flamuri që ishte në zhveshtore. Kjo vërtetë nuk u shkon përshtati futbollistëve të Serbisë. Këto çështje duhet t’ua lëmë politikës dhe politikave që t’i zgjidhin. Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit”.

Ademi ka thënë se ka bashkëpunim të shkëlqyer me Federatën e Futbollit të Serbisë në FIFA dhe UEFA.

“Si me ish-presidentin e Federatës së Serbisë, Slavisha Kokeza, edhe me presidentin e tashëm Nenad Bjekoviq, ne bashkëpunojmë shumë mirë në të gjitha organet e FIFA-s dhe UEFA-s”, tha Ademi.