Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se janë në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare. Sipas tij, kjo nuk u bë e mundur.
Elezi ka theksuar se në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar.
“ KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, ka thënë Elezi për Insajderin.
Ndryshe pas rezistencës së militantëve serbë, me përpjekje të mos lejojnë organizimin e zgjedhjeve komunale në Zubin Potok, anëtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në Zubin Potok, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, megjithatë kanë hyrë në objektin e Komunës së Zubin Potokut, dhe për këtë shkak janë aktivizuar sirenat në gjithë qytetin.
Sipas portalit kosovar serb, “Kosovo Online”, në qytet janë dëgjuar dy shpërthime, ndërsa nga ndërtesa komunale kanë dalë anëtarë të Komisionit Komunal dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.