Tërhiqet kandidati i vetëm serb për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut

Është tërhequr kandidati i vetëm serb për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka thënë për KosovaPress se vendimin për tërheqje, Aleksandar Arsenijevic e ka dorëzuar më 2 dhjetor, e që siç tha ai, është brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja.

“Mund t’ua konfirmoj se më 2 dhjetor 2022, brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja për tërheqjen e subjekteve politike, kemi pranuar njoftimin për tërheqjen e kandidatit të Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijevic, nga gara për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut. Në arsyetimin me shkrim që kemi pranuar, ai ka tërhequr kandidaturën e tij me vullnet të lirë”, tha Elezi.