Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër në orën 11:00, një bashkëbisedim “live” në vigjiljen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Kryeministri ftoi qytetarët të dërgojnë të gjitha pyetjet e tyre mbi çdo temë a çështje të veçantë me interes për ta, ndërsa informoi se “si gjithnjë do të përzgjidhen ato më me ‘spec’, krahas pyetjeve të gazetarëve të pranishëm”.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, është samiti i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Evropian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: Trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; Intensifikimi i angazhimit politik; Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit.