Thellësisht i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi.
Një lajm që na tronditi dhe preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi.
Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike.
Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi.
Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit.
Në këtë ditë të rëndë pikëllimi, në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, dua t’ua përcjell ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe bashkëlojtarëve e miqve të Erionit.
Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djaloshin shembullor dardan!
Lamtumirë Erion!
I përjetshëm kujtimi për Ty!
Me pikëllim të thellë,
Agim Ademi, president i FFK-së