Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka arsyetuar Projektligjin për pagat, i cili tha se përmes këtij projektligji bëhet një sistem i unifikuar dhe krijohet një barazi në sektorin publik.
Ministri Sveçla në Komisionin parlamentar për Administratën Publike bëri të ditur se kostoja buxhetore e këtij Projektligji është 745 milionë euro dhe sipas tij ky projektligj është buxhetuar me projektbuxhetin e vitit 2023.
Ndërsa për vlerën e koeficientit të pagës, ai tha se ky do të ndodhë në bazë të Ligjit për buxhetin.
Kryetari i Komisionit, nga radhët e Vetëvendosje Valon Ramadani tha se projektligji në fjalë zvogëlon hendekun e pabarazisë për punonjësit që marrin pagë nga shteti.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se mospërcaktimi i vlerës së koeficientit për paga rritë pasigurinë për punëtorët.
Më këtë projektligj, pagën më të lartë në sektorin publik do ta ketë presidenti i vendit.