Ish-sulmuesi i Juventus, David Trezeguet ka dhënë disa komente lidhur me situatën e shkaktuar së fundmi te Juventus.
Bordi i drejtorëve të Juventus, përfshirë presidentin Agnelli dhe zv.presidentin Nedved, kanë dhënë dorëheqje gjatë kësaj jave, derisa po dyshohen për shmangie tatimesh, fshehje të borxheve etj.
Në këtë situatë, skuadra rrezikon të bie në Serie B ose C. I pyetur për situatën, Trezeguet ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë klubin në çdo formë, dhe se do të kthehej në Torino nëse do të merrte një telefonatë.
“Mendoj se është kryesisht një çështje burokratike, administrative. Do të ketë ndryshime, por Andrea Agnelli ka bërë një punë të jashtëzakonshme: stadiumin, qendrën sportive, ekipin e dytë. Ai ka qenë shembull”, ka thënë Trezeguet.
“Tek Juve kam kaluar dhjetë vjet si lojtar dhe shtatë në klub. Kam bërë kursin e drejtorit sportiv në Spanjë për të njohur një lloj tjetër futbolli”, shtoi francezi.
“Në vitin 2021 zgjodha të përfundoja si ambasador dhe të kthehesha në anën sportive, nuk kishte asnjë mundësi për ta bërë këtë në Juve, por për mua Juve është gjithmonë shtëpia. Unë jam aty për Juventusin, nëse më thërrasin, do të kthehem”, ishin fjalët e ish-sulmuesit të Juventus.
David Trezeguet luajti te Juve nga viti 2000 deri në vitin 2010, duke regjistruar 320 paraqitje. Ai shënonte 171 gola dhe shtoi 40 asiste, duke qëndruar edhe kur klubi binte në Serie B.