Avokati i Thaçit i shqetësuar: Prokuroria po na e pengon mbrojtjen, ish-ushtarë të UÇK-së s’po mund të dëshmojnë për ne

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi në Hagë ka ngritur alarmin për një sjellje “jo-profesionale” të Prokurorisë që po i dëmton ata në procesin e përgatitjes së çështjes.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se Prokuroria po u thotë disa personave që po i interviston se janë aty të pranishëm në cilësinë e “të dyshuarve”.

Ai thotë se kjo praktikë është aplikuar më së shpeshti tek ish-pjesëtarët e UÇK-së që janë thirrur për intervistim.

“Mbrojtja thekson se Prokuroria ka adoptuar një praktikë të këshillimit të disa personave që i intervistuan se ishin të pranishëm në cilësinë e ‘të dyshuarit’, sepse [E REDAKTUAR].26 Kjo praktikë është aplikuar më së shpeshti për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Keohe në një parashtresë që e ka parë lajmi.net.

Tutje, Keohe thotë se një qasje e tillë e Prokurorisë është e dëmshme për mbrojtjen dhe ka ndikuar në një presion të madh psikologjik tek ata që janë thirrur për t’u intervistuar.

Ai thotë se hetimet e mbrojtjes janë penguar ndjeshëm duke qenë se këta persona tanimë po frikësohen të dëshmojnë për mbrojtjen, pasi që sipas tij nuk janë të sigurtë për atë se çka do të ndodhë me ta.

“Kjo praktikë e Prokurorisë është e dëmshme për Mbrojtjen dhe ka rezultuar në presion të konsiderueshëm psikologjik ndaj atyre që janë caktuar si “të dyshuar”. Në veçanti, rezultati është se personat e caktuar si të dyshuar nga Prokuroria nuk janë të gatshëm të dëshmojnë në emër të Mbrojtjes, apo edhe ndonjëherë të flasin me Mbrojtjen, pasi ata janë të shqetësuar nga pasiguria e rrethanave të tyre. Ky është një problem i drejtësisë themelore për ata që janë caktuar si të dyshuar, të cilët mbahen në një gjendje pasigurie të përhershme ndërkohë që Prokuroria vazhdon hetimet e saj pafundësisht. Më tej, pasi që Prokuroria ka marrë një një qasje e gjerë ndaj atyre që intervistoi si ‘të dyshuar’, hetimet e Mbrojtjes janë penguar ndjeshëm”, thotë avokati i ish-presidentit.

Ndryshe, nesër bëhen dy vite prej arrestimit të krerëve të UÇK-së.

Ata po përballen me akuza për krime lufte, teksa deri tash atyre u është refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri.