Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pak para Samitit të Berlinit, të udhëhequr nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Takimin e kanë njoftuar të dy palët në ‘Twitter’, derisa Kurti është deklaruar se me Borrell kanë diskutuar për kornizën e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe djegien e veturave në veri.
“Përpara Samitit vjetor të Procesit të Berlinit sot takova Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për të diskutuar Kornizën e Marrëveshjes, që në qendër ka njohjen, dhe çështje të tjera. Plaçkitja dhe djegia e veturave në veri të Kosovës është veprim kriminal dhe duhet dënuar nga të gjithë”, ka deklaruar Kurti.
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë së BE-së ka kërkuar respektimin e marrëveshjeve të Brukselit, si dhe ka denuar aktin e djegies së veturave në veri.
“I lumtur të takojë kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, sikundër është djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet respektuar. Ftojmë të gjitha palët të përmbahen. Ne gjithashtu diskutuam për rrugët përpara drejt normalizimit”, ka shkruar Borrell.