Njëri nga dy prokurorët që po merren me rastin e dhunës dhe keqtrajtimit të të moshuarës në një qendër të të moshurave në Pejë kanë folur për media duke dhënë detaje të reja lidhur me rastin.
Lidhur me këtë, prokurori është shprehur se tanimë janë arrestuar dy të dyshuara me inicialet A.P dhe A.R nën dyshimin për veprën penale të “sulmit” dhe të “dhënia e ndihmnës në kryerjen e veprës penale të sulmit”, shkruan lajmi.net.
“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftoj se pas pranimit të informacionit të parë lidhur me ngjarjen që ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, nga kryeprokurori i zyrës Agim Kurmehaj, jemi angazhuar dy prokurorë që pas marrjes së autorizimeve kemi vazhduar me të gjitha veprimet ligjore që në mënyrë intenstive dhe në mënyrë efikase e të shpejt me njësitet relevante policore, kemi arritur të arrestojmë dy të dyshuarat, A.P dhe A.R me dyshimin se kanë kryer veprën penale të sulmin dhe respektivisht dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale të sulmit.”, tha Prokurori.
Më tutje, ai ka thënë se janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kjo nuk nënkupton se nuk do të zgjerohen edhe në subjektet e tjera.
“Në këtë fazë të procedurës parapenale ende jemi duke punuar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme që nuk do të thotë se nuk do të zgjerohemi në subjektet e tjera që dyshohet të jenë përfshirë në këtë vepër penale.”, tha prokurori.
Ai gjithashtu ka thënë se nuk kanë informacione për gjendjen e të moshuarës e cila është viktima në rastin e lartcekur.
“Nuk kemi informacione lidhur me gjendjen e të moshuarës dhe gjatë ditëve në vijim do të ndërrmarim veprime të tjera edhe për të dëmtuarën sepse na duhet edhe një deklaratë e saj ashtu që për çdo gjë do të informoheni. Gjatë këtyre momenteve janë duke u intervistuar në stacionin policor në Pejë.”, tha prokurori.
Prokurori tha se deri në këto momente nuk kanë informacione që ka pasur raste të tilla më parë, por nuk ka përjashtuar mundësinë që kjo të ketë ndodhur.