Kërcënimet ruse, Ushtria norvegjeze në gatishmëri të larte, vendosë trupat në kufi

Norvegjia, e cila kufizohet me Rusinë, do të vendosë forcat e saj në gatishmëri të lartë. Masa do të zbatohet nga e marta, njoftoi kryeministri Jonas Gahr Störe të hënën në Oslo.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se asnjë kërcënim i drejtpërdrejtë nga Rusia nuk ishte identifikuar ende.

“Ne aktualisht nuk kemi asnjë arsye të supozojmë se Rusia dëshiron të tërheqë Norvegjinë ose ndonjë vend tjetër drejtpërdrejt në luftën e saj”, tha kreu i qeverisë. Por duke pasur parasysh luftën e agresionit rus kundër Ukrainës, ishte e nevojshme që të gjitha vendet e NATO-s të ishin “gjithnjë e më vigjilente”.

Sipas ministrit norvegjez të mbrojtjes, Björn Arild Gram, rritja e vigjilencës do të thotë, ndër të tjera, që masat mbrojtëse në objektet ushtarake të forcohen.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, ndan një kufi prej 198 kilometrash me Rusinë në Arktik. Ndërkohë, Norvegjia ka zëvendësuar Rusinë si furnizuesi kryesor në tregun evropian të gazit si rezultat i luftës në Ukrainë.

Kohët e fundit, fluturime misterioze me dron ishin vërejtur në Norvegji, veçanërisht pranë platformave të naftës në det. Disa rusë janë arrestuar në lidhje me dronët. Përveç kësaj, kundërzbulimi norvegjez arrestoi një spiun të dyshuar rus javën e kaluar, i cili ishte paraqitur si një studiues brazilian.