IKD: Kuvendi të refuzojë Projektligjin për KPMSHCK

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të hënën, ka mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës është publikuar raporti: “Tendencat për politizim të KPMShCK”, i cili raport është rezultat i analizës së IKD-së për Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Projektligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD fillimisht tha se më 30 shtator 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte miratuar Projektligjin Nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë, e që aktualisht, ky Projektligj është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai tha se në kundërshtim me Kushtetutën, Projektligji synon ta ngushtojë funksionin e KPMShCK, duke i kufizuar kompetencat dhe përgjegjësitë që i garanton Kushtetuta në kuptim të respektimit të rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil në Republikën e Kosovës.

‘‘Një qasje e tillë cenon rëndë autoritetin e këtij mekanizmi kushtetues, dhe i hap rrugë politizimit të sektorit publik në Kosovë, pasigurisë juridike dhe arbitraritetit ndaj zyrtarëve publik.  Fatkeqësisht, po kjo iniciativë legjislative është iniciuar nga Zyra e Kryeministrit’’, tha Shala.

Tutje, ai tha se sipas Projektligjit, KPMShCK nuk do të ketë kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hap konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative.

‘‘Kjo dispozitë, është në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës. Krahas shkeljes kushtetuese, reflektimi i kësaj dispozite në praktikë paraqet një potencial shumë të lartë për cenim të të drejtave të njeriut, influencë politike në rekrutimin e këtyre pozitave dhe dëmtim të buxhetit’’, shtoi Shala.

Ndërsa, ai tha se Projektligji synon që t’ua marr imunitetin funksional Kryetarit dhe anëtarëve të KPMShCK, e që marrja e imunitetit për kryetarin dhe anëtarët e KPMShCK drejt për së drejti cenon pavarësinë e këtij institucioni si dhe cenon të drejtat e palëve.

‘‘Është absurde të konsiderohet se për secilin rast, anëtarët e KPMShCK do të bartin edhe përgjegjësi civile. Kjo pasiguri juridike do të ndikojë në hezitimin e profesionistëve për tu bërë pjesë e KPMShCK si dhe do të krijojë potencial të madh për politizimin e këtij komisioni nga ana e partive politike që kanë mazhorancën në Kuvend’’, tha Shala.

Po ashtu, ai tha se sipas Projektligjit, në secilin rast kur ndaj vendimit të KPMShCK iniciohet padi në gjykatë, vendimi i KPMShCK nuk do të zbatohet deri në momentin kur gjykata të nxjerrë vendim të formës së prerë.

‘‘Kur kësaj, i shtohet fakti, se procedurat gjyqësore në lëndët administrative marrin mbi tre vite kohë për tu trajtuar, e kthen KPMShCK në një institucion të pa vlerë dhe pa asnjë ndikim, duke marr kompetencat kushtetuese të këtij institucioni’’, ka theksuar Shala.

Sipas tij, përtej dëmtimit të interesave të qytetarëve, kohëzgjatja e procedurave gjyqësore administrative në praktikë cenon në thelb funksionimin normal të shërbimit civil.

Tutje, sipas Shalës, Projektligji në tërësinë e tij është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë projektligj, një armatë e tërë e dhjetëra mijëra shërbyesve civil mbesin pa mbrojtje efektive juridike të cilëve u pakësohen të drejtat e tyre Kushtetuese.

Andaj, IKD nga ky raport ka theksuar se në këtë Projektligj, nuk ka asnjë dispozitë të vetme e cila nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë, nuk ka asnjë dispozitë që ia vlen të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Për këto arsye, IKD ka vlerësuar se me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së institucionit kryesor që mbron rregullat e shërbimit civil, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta refuzojë këtë ligj.

Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “Tendencat për politizim të KPMShCK”.