Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi kanë qëndruar, sot, Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali. Ata janë pritur nga presidenti Agim Ademi dhe ud. sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj. Me këtë rast, ata kanë vizituar fushat dhe objektet përcjellëse, e ku po vazhdon puna në kompletimin e këtij kompleksi të futbollit, i cili i shërben nevojave të ekipeve kombëtare. Presidenti Ademi ka falënderuar drejtorët komunal për mbështetjen që po i japin futbollit, veçmas në përmirësimin e kushteve infrastrukturore, derisa ka shprehur shpresën për shumë bashkëpunime tjera ndërmjet FFK-së dhe institucioneve të nivelit lokal e atij qendror, me qëllim që rinisë sonë t’u krijohen hapësira, kushte dhe mundësi sa më të mira për zhvillimin e talentit të tyre në futboll. I pari i FFK-së ka falënderuar komunën edhe për asfaltimin e një pjese të rrugës në afërsi të Kampit Nacional, gjë e cila e ka lehtësuar qasjen në kamp, por edhe qarkullimin e banorëve të kësaj pjese. Në anën tjetër, dy drejtorët komunal janë shprehur të lumtur që me realizimin e projekteve të ndryshme po e ndihmojnë edhe sportin, teksa i shprehën mirënjohje FFK-së për punën e bërë në Kampin Nacional në Hajvali. Ata u shprehën të gatshëm që edhe në të ardhmen të jenë në koordinim me FFK-në dhe të mbështesin projektet që kanë të bëjnë për sportin dhe në veçanti për futbollin në kryeqytet.