“Targat KM do të mbesin”, Vuçiç thotë se do të mbrojë serbët e Kosovës: Nuk ka dorëzim

“Nuk dorëzohemi. Targat KM do të mbesin”. Është ky premtimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me drejtuesit e Listës Serbe. Ai u zotua se do t’i mbronte serbët, ndërsa akuzoi qeverinë e Kosovës se po kërcënon mbijetesën e tyre. Vuçiç konfirmoi dhe paralajmërimin e Listës Serbe se zbatimi i vendimit të qeverisë së Albin Kurtit për sekuestrimin e targave do të hasë në bllokimin e të gjithë veriut të Kosovës.

“Plani i tyre është që targat KM të largohen nga territori i Kosovës për në atë të Serbisë qendrore dhe më pas të mos lejohet hyrja e tyre në territorin e krahinës autonome serbe nga Jarinja dhe Bërnjaku. Por kjo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, tha Vuçiç.

Ai kritikoi qëndrimin e vendeve të Quintit që e konsiderojnë legjitim vendimin e Kosovës për ndërrimin e targave të vjetra duke thënë se ata po mashtrojnë opinionin publik. Për Vuçiç, targa e vetme e pranueshme është KS dhe jo RKS. Presidenti serb tha se pret që Kosova javën e ardhshme të hyjë në procedurën e pranimit në Këshillin e Europës. I pyetur për rezultatin që pritet nga kjo lëvizje, ai nënvizoi se Serbia është e rrethuar në të gjitha anët dhe se nuk mund të bëjë asgjë.

“Pasojat më janë paraqitur. Po flasim për pasoja të rënda për Serbinë. Pozicioni ynë është i tillë që hapësira jonë është e kufizuar në mikronë. Dhe qëllimisht na futën në qoshe. Por është më mirë të jetosh si një skifter për një ditë sesa për njëmijë vite si një mi. Serbia nuk ka ku të shkojë, ne kemi pas vetes Kartën e OKB-së, të drejtën ndërkombëtare publike, si mjetin e vetëm të cilit mund t’i referohemi, bisedimet dhe dëshirën për zgjidhje kompromisi”, tha presidenti serb.