Çmimi i energjisë në Shqipëri, Balluku: Fasha 800 K=kW mund të mos aplikohet as në nëntor

Konsumi i reduktuar i energjisë në tetor, si dhe reshjet që priten në fillim të nëntorit, janë dy sinjale pozitive që mund të çojnë qeverinë shqiptare të vendosin që të mos e aplikojë as në nëntor fashën 800 kilovat në faturat e energjisë elektrike.

Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht edhe ministrja e energjisë, Belinda Balluku, e cila pohoi po ende po mblidhen të dhënat për të marrë një vendim të tillë.

“ERE miraton çmimin dhe aplikimi nëse do të rritet apo jo i përket qeverisë. Ne jemi duke pritur të gjitha të dhënat sa i përket konsumit, i cili është ulur”, ka thënë Balluku.

“Shqiptarët janë sensibilizuar dhe kanë konsumuar 5% më pak se vitin e kaluar. Në javën e parë të nëntorit presim reshje në kaskadën e Drinit çka do të sillte që qeveria të mos aplikonte as në nëntor fashën 800 kW. Ne do ta analizojmë bazuar në konsumin e përgjithshëm, fuqinë prodhuese të kaskadës së Drinit dhe në çmimet e tregut të importit që nuk janë në kontrollin e qeverisë, por ndikohen nga situata gjeopolitike që kemi”, ka shtuar Balluku.