Kryeministri e ka nënvizuar 31 tetorin si datën e fundit të afatit për zëvendësimin e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia, me ato të Kosovës. Këtë nuk dihet nëse Albin Kurti ua ka thënë edhe ndërkombëtarëve. Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, siç duket po pret ende për një përgjigje, kur kanë mbetur më pak se pesë ditë kohë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po përpiqen ta bindin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që t’u japë edhe 10 muaj afat serbëve që t’i zëvendësojnë targat e automjeteve të tyre në “RKS”.
Shefi i qeverisë kosovare ka thënë të martën se 31 tetori mbetet data e fundit për t’i zëvendësuar targat që i lëshon Serbia, me ato të Republikës së Kosovës.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë me datën 1 tetor, është data 1 nëntor. Ose, më mirë të them, në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori, kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetëruara KM, PR e të ngjashme – trashëgimi e kohës së Millosheviqit – do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime – RKS”, ka thënë Kurti para gazetarëve, duke treguar se si nga kjo serbët do të përfitonin financiarisht prej “lehtësimeve tatimore”.
Qeveria ka vendosur t’ua heq barrën e taksës doganore, akcizës dhe TVSH-së atyre që do të binden për t’i ndërruar targat. Por ndërkombëtarët kanë frikë se më 31 tetor mund të kthehet atmosfera e lufttës në veri të vendit, ashtu siç kishte ndodhur në fund të korrikut, kur kambanat e alarmit kishin rënë në Bruksel e në Washington. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nga Beogradi ka paralajmëruar të enjtën se do t’i bllokojnë rrugët në veri nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e automjeteve me targa serbe.
Nuk dihet nëse përgjigjen e njëjtë që ua dha gazetarëve të martën, kryeministri ua ka dhënë edhe emisarëve të BE-së dhe SHBA-së. Nga zyra e Kurtit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express për këtë çështje.
Nëse ka marrë përgjigje nga Kurti u pyet të mërkurën emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Jo, ende jo”, u përgjigj ai. Tha se shpreson në një përgjigje pozitive nga Kosova.
Para mesnatës ndërmjet 31 korrikut dhe 1 gushtit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ishte detyruar ta takonte presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për t’i bindur që ta shtyjnë zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë. Çështja e letërnjoftimeve në kufi u zgjidh me një marrëveshje që u nënshkrua më pas në Bruksel, por ajo e targave mbetet për t’u shqyrtuar.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pati deklaruar disa herë se do të intervenojnë në rast nevoje, kur situata ishte tensionuar jashtëzakonisht shumë.
“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”, kishte thënë Stoltenberg në një rast.
Intervenimi i NATO-s nisi të merrej me mend natën e fundit të korrikut, kur në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, strukturat ilegale të Beogradit kishin krijuar barrikada me makineri të rënda dhe kamionë. Afër tyre qëndronin persona të maskuar e të armatosur.
Kur s’kanë mbetur shumë ditë deri më 1 nëntor, BE-ja dhe SHBA-ja kanë frikë se zjarri mund të ndizet sërish. Për ta parandaluar këtë, Lajçak dhe Escobar po angazhohen edhe fizikisht, duke marrë udhë shpesh për në Prishtinë e Beograd.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të enjten se nga 1 shtatori, në veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegies së veturave apo të pronës së qytetarëve të cilët i kanë konvertuar targat e automjeteve të tyre.
“Kjo kampanjë negative për konvertimin e targave në RKS në njërën anë dhe gjithashtu dhuna kriminale që përdoret ndaj serbëve të cilët integrohen, janë të papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës, do të jenë të patolerueshme, dhe sigurisht se më parë herët sesa vonë, sigurisht se do të ndëshkohen”, ka thënë kryeministri të martën.