Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se Gjykata Themelore e Prishtinës ka nisur shqyrtimin fillestar të aktakuzës ndaj tij dhe disa protestuesve të tjerë kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Sot pas plotë 6 vitesh <<sistemi i drejtësisë>> paska vendosur ta mbajë shqyrtimin fillestar të aktakuzës ndaj meje dhe protestuesve tjerë të arrestuar kundër Zajednicës dhe në mbrojtje të ish deputetëve të opozitës që e kundërshtuan në vitin 2015”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, po të kishte drejtësi “në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishte Isa Mustafa dhe jo protestuesit”
Po ashtu deputeti e ka ripërsëritur se “Asociacioni paraqet rrezik të madh për Kosovën”.
“E ritheksoj se Zajednica e kontrabanduar nga Mustafa-Thaçi, e dëshmuar si antikushtetuese, paraqet rrezikun më të madh që i është kanosur Kosovës. Dhe si e tillë është e papranueshme. Po të kishte patur drejtësi njëmend, sot në bankën e të akuzuarve është dashur të jetë Isa Mustafa. Jo ne”, ka thënë ai.
Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, haptazi po i kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.