Altin Sahiti i reagon Rron Gjinovcit: Kur ballafaqohet njeriu me dikë si ti mëdyshet a të jetojë këtu

Të premten është shkarkuar rektori i UP-së, Naser Sahiti, e më pas është emëruar ushtruese e detyrës Luljeta Plakolli. Për shkarkimin e Sahitit, ORCA e akuzoi Altin Sahitin nga MASHTI, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqin.

Pas akuzave të ORCA-s dhe drejtorit të kësaj organizate, Rron Gjinovci, ka reaguar kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se Gjinovci “po vazhdon tuj rrënu ‘gurë e gumurë’ kundër vendimit të këshillit drejtues të UP-së për shkarkimin e rektorit”.

Ai tha se kur “njeriu ballafaqohet me si ty dhe njerëz si ti [Rron Gjinovci] edhe mund të mëdyshet nëse ia vlenë të jetohet këtu”.

“Unë fare lehtë kam mundur të mos jem në këtë pozitë. Nëse do ta dish, unë dhe familja ime fare lehtë kemi mundur të jemi diku jashtë, në USA psh, por kemi vendosur të qëndrojmë në Kosovë. Kur njeriu ballafaqohet me ty dhe njerëz si ti, edhe mund të mëdyshet nëse ia vlenë të jetohet këtu, nëse ia vlenë t’i rrisë fëmijët në këtë vend. Unë jam prind i dy fëmijëve të cilët dua t’i rris dhe edukoj në shkollat dhe kulturën e vendit tim. Nuk jam njeri i politikës, kurrë nuk kam qenë as nuk do më shihni në politikë”, ka shkruar ai.

Madje, Sahiti pretendon se e ka marrë detyrën vonë për të “amnistuar plagjiatorë”, dhe sipas tij kjo është qesharake.

“Po më akuzon për bashkëpunëtor të plagjiatorëve!!! A nuk të duket qesharake kjo? Unë, me demek, që posa e kam marrë përsipër detyrën, u bëra i fuqishëm të amnistoj plagjiatorët!! Nuk jam unë ai që mund të amnistoj, por as të identifikoj ‘akademikët’ plagjiatorë. Thonë që janë shumë, por unë nuk kam as kompetencë as fuqi për ta bërë këtë. Këtë punë duhet ta bëjnë strukturat udhëheqëse të UP-së. E këtë, siç ndoshta mund ta dini, nuk e kanë bërë deri tani. Me aq sa i njohë problemet e UP-së, plagjiarizmi është një ndër problemet akute që do duhej të merrej rektori i ardhshëm. E të menaxhosh probleme të kësaj natyre duhet të kesh integritet akademik dhe profesional.”

Dibran Hoxha nga ORCA sot shtroi pyetje për ministren e Arsimit Arbërie Nagavci se kur do të fillojnë implementimet e premtimeve publike të saj për luftën kundër plagjiaturës

“Sikur të mos mjaftonte kjo, në ditën e shkarkimit të rektorit, kryesuesi i Këshillit Drejtues rren publikisht duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares se pse anëtarët e ministrisë në Këshillin Drejtues nuk e kanë denoncuar plagjiaturën e Selim Bezerajt, meqë ata vet ishin zotuar për një veprim te tillë. Altin Sahiti pa pikë turpi u përgjigj që ata nuk e kishin dhënë një zotim kësisoj, në ndërkohë i njëjti më datë 30 qershor 2022 në mbledhjen 20 të Këshillit Drejtues me insistim te shtuar kishte lexuar me gojën e tij emailin e ardhur nga ministria për adresim e plagjiaturave brenda vet Këshillit. Pyetja që shtrohet është, a e ka ditur Ministrja Nagavci që anëtarët e vet në Këshillin Drejtues po ia pinë cigaren msheft? Nëse po, a mund të na tregojnë pse kanë ndryshuar mendim për denoncimin e Selim Bezerajt në Këshill të Etikës? Dhe krejt në fund: kur do te fillojnë implementimet e premtimeve publike të saj për luftën kundër plagjiaturës? Këshillit Drejtues veç e veç deri në demaskimin total te tyre” tha ai.

Ndërsa, Rron Gjinovci nëemisionin e tij në KTV e filloi me “Për hajër shkarkimi i rektorit pa asnjë arsye dhe urime dorëzimin e UP-së në duar të infamozëve”.

Ndërsa, pas një deklarate të Sahitit për Selim Bezerajn, Gjinovci tha “rrena i ka këmbët e shkurta”.

“Altin Sahiti po rren”, shtoi ai.

Postimi i plotë:

PËR RRONIN, DHE GJITHË RRONAT TJERË!

Rroni nuk ka të ndalur. Po vazhdon tuj rrënu “gurë e gumurë” kundër vendimit të këshillit drejtues të UP-së për shkarkimin e rektorit. Por, më ka targetur mua, në mënyrë të vecantë. Ky reagim i imi më shumë është në funksion të sqarimit të opinionit, e jo pse dua të debatoj me ‘rronat’.

Ti Rron Gjinovci ndoshta nuk e di që në këtë botë, e edhe në Kosovë, ka njerëz që lidhen për ndërgjegje të tyre dhe pesë pare nuk i japin për këto broçkullat tua. Unë jam ndër ta. E për këtë kam arsye të fortë. Jetën dhe punën time e kam bazuar në djersë dhe punë të mundimshme. Nëse nuk e di, po të informoj se unë vij nga një familje e vogël, por shumë të ndershme, bile edhe akademike. Edhe një armatë ta angazhosh, pesë pare nuk i jap. Nuk je ti ai që e determinon ndershmërinë, as timen, as të familjes time.

Unë jam njëri ndër anëtarët e këshillit drejtues. Kjo që jam kryesues i tij është rastësi. Kur kam pranuar të bëhem pjesë e këtij këshilli, kam qenë i vetëdijshëm për ndjeshmërinë publike qe ka ky funksion. Motivi im i vetëm ka qenë që me kapacitetin tim të jap kontributin tim në reformimin e UP-së.

Unë fare lehtë kam mundur të mos jem në këtë pozitë. Nëse do ta dish, unë dhe familja ime fare lehtë kemi mundur të jemi diku jashtë, në USA psh, por kemi vendosur të qëndrojmë në Kosovë. Kur njeriu ballafaqohet me ty dhe njerëz si ti, edhe mund të mëdyshet nëse ia vlenë të jetohet këtu, nëse ia vlenë t’i rrisë fëmijët në këtë vend. Unë jam prind i dy fëmijëve të cilët dua t’i rris dhe edukoj në shkollat dhe kulturën e vendit tim. Nuk jam njeri i politikës, kurrë nuk kam qenë as nuk do më shihni në politikë.

Po më akuzon për bashkëpunëtor të plagjiatorëve!!! A nuk të duket qesharake kjo? Unë, me demek, që posa e kam marrë përsipër detyrën, u bëra i fuqishëm të amnistoj plagjiatorët!! Nuk jam unë ai që mund të amnistoj, por as të identifikoj ‘akademikët’ plagjiatorë. Thonë që janë shumë, por unë nuk kam as kompetencë as fuqi për ta bërë këtë. Këtë punë duhet ta bëjnë strukturat udhëheqëse të UP-së. E këtë, siç ndoshta mund ta dini, nuk e kanë bërë deri tani. Me aq sa i njohë problemet e UP-së, plagjiarizmi është një ndër problemet akute që do duhej të merrej rektori i ardhshëm. E të menaxhosh probleme të kësaj natyre duhet të kesh integritet akademik dhe profesional.

Po mundohesh me çdo kusht të më veçosh mua nga anëtarët tjerë të këshillit. Pjesë e vendimit kanë qenë edhe të tjerë, në mesin e tyre edhe figura të respektuara akademike, si Prof. Hajrullah Koliqi, Prof. Dr. Arbresha Nela-Turjaka, ndërmarrës të suksesshëm, si Arta Shehu-Zaimi, etj. Me këtë grup njerëzish jemi munduar të punojmë dhe të identifikojmë dhe luftojmë dukuritë negative në Universitet. Po mundohemi të vëmë në binarët të transparencës financiare dhe të meritokracisë secilin sektor të UP-së. A do ia dalim? Kjo pritet të shihet. Të gjithë përfaqësuesit tjerë të shoqërisë civile mund të kenë qasje në procesverbalet e mbledhjeve dhe të informohen për debatet dhe fjalimet e secilit anëtarë të këshillit.

Qëndrimi im i fuqishëm është që të gjithë, pa përjashtim të inspektohen për vjedhje dhe plagjiaturë. Unë besoj që UP ka nevojë për një skenim detal e që lidhet me kualitetin dhe origjinalitetin e gradave shkencore dhe punimeve hulumtuese. Ata që kanë ra ndesh me parimet dhe standardet akademike nuk e kanë vendin në klasat ku duhet të fitohet dije. Siç e thashë më sipër, nuk jam unë, e as këshilli drejtues i UP-së që duhet ta largojë vjedhësit dhe plagjiatorët nga universiteti. Janë strukturat e UP-së që duhet ta bëjnë ketë. Po e përsërisë, që dikush të bëj këtë punë, duhet të ketë vet integritet akademik.

Si duket, kjo qasje dikujt si puna e jote dhe të tjerëve si ju po i pengon!

Mos mendo se po më mërzitë mua kjo fushatë e jotja e ndyrë kundër meje. Vazhdo dhe mos u ndalë, se pesë pare nuk i jap. Se kush jam unë, nuk kam nevojë të më konfirmohet nga tipa si ti.

Unë do vazhdoj të jap kontributin tim deri sa të jem i bindur se po bëjmë punë të mirë. Me këtë rast dua t’i falënderoj kolegët e mi të këshillit për punë profesionale. Sfidat që na presin janë edhe më të mundimshme!