Veprimet dhe sanksionet e unifikuara janë thelbësore për të mbajtur Putinin përgjegjës për luftën e tij

Nga: Ambasadori Jim O’Brien, Shef i Zyrës për Bashkërenditjen e Sanksioneve, Departamenti Amerikan i Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatët dhe partnerët tanë vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës. Rishtazi në Kombet e Bashkuara, 143 shtete u bënë bashkë për të deklaruar diçka që e tërë bota tashmë e di: vendimi i Vladimir Putinit për të pushtuar Ukrainën ishte agresion i paprovokuar dhe përpjekje për të rishkruar kufijtë me forcë, duke kërcënuar drejtpërdrejt ekzistencën e Ukrainës dhe duke sfiduar parimet e Kartës së OKB-së dhe stabilitetin global.

Mbrojtja jonë e parimeve thelbësore të së drejtës ndërkombëtare – duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial – kërkon unitet, veçanërisht pasi që një gjë e tillë nuk vjen pa kosto. Çmimi i mosveprimit nga ana e aleatëve dhe miqve të Ukrainës, kostoja për komunitetet dhe vendet tona do të ishte shumë më e madhe po të mos kishim ndërmarrë veprime të bashkuara për të prishur planet e Putinit. Mosveprimi nuk është opsion.

Kostoja e veprimeve të Putinit ka qenë shumë e madhe për Ukrainën, por edhe për ekonominë globale. Rusia në mënyrë efektive i bllokoi portet e Ukrainës në Detin e Zi, duke i rritur edhe më shumë çmimet globale tashmë të larta të ushqimit. Ai ka treguar gjithashtu gatishmëri për ta përdorur si armë varësinë e të tjerëve nga energjia ruse.

Veprimet e ukrainasve guximtarë që luftojnë për lirinë e tyre dhe veprimi ynë i bashkërenditur janë arsyeja pse Rusia nuk ka arritur të realizojë qëllimet e saj në Ukrainë. Ne kemi mbështetur aftësinë e Ukrainës për tu mbrojtur përmes asistencës në fushën e sigurisë dhe i kemi imponuar Rusisë kosto përmes përpjekjeve strategjike, shumëpalëshe dhe të paprecedentë për t’ia mohuar Putinit fondet, teknologjinë dhe pajisjet që i nevojiten për të mbështetur luftën e tij kundër Ukrainës.

Ekonomia e Rusisë po tkurret. Importet e mallrave po bien deri në 40 për qind dhe mungesa e komponentëve të huaj gjithnjë e më shumë po i dobëson sektorët kryesorë të industrisë dhe punësimit të Rusisë. Për herë të parë në më shumë se një shekull, Rusia nuk arriti të paguajë borxhin e saj në valutë të huaj, ndërsa vlerësimi i borxhit të Rusisë ka statusin më të dobët të mundshëm. Prodhimi industrial është në rënie dhe Kremlini me shpejtësi po humbet aftësinë për të tejkaluar rënien historike të Rusisë me masa afatshkurtra.

Gjithashtu, sanksionet po e izolojnë Putinin nga ekonomia globale. Kremlini tani nuk mund të marrë hua në tregjet e borxhit publik. Pjesa më e madhe e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë janë të bllokuara. Gati 1000 kompani shumëkombëshe, përfshirë bankat, kanë zvogëluar ose pezulluar operacionet në Rusi. Më shumë se tre duzina vende u bashkuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vendosjen e kontrolleve të eksportit për të goditur aftësinë e Rusisë për të përvetësuar teknologjinë jetike të nevojshme për të nxitur luftën e agresionit të Putinit. Sanksionet dhe kontrollet e eksportit po i dobësojnë industritë në Rusi duke e penguar vendin të marrë pjesë përbërëse kyçe, si çipat kompjuterikë. Për shembull, prodhimi i makinave ruse të pasagjerëve nga viti në vit është ulur midis 80 dhe 90 për qind. Mungesa e qasjes në mallra të importuara dhe të gatshme, veçanërisht në teknologjitë e sofistikuara, ka shkaktuar pengesa që po dëmtojnë transportin dhe tregtinë ruse, por më e rëndësishmja, po pengojnë prodhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake.

Veprimet tona të qeverisë dhe të sektorit privat, këmbëngulja jonë për të kërkuar përgjegjësi për veprimet e Rusisë, me kalimin e kohës po ndikojnë në mënyrë reale në Rusi. Uniteti dhe vlerat tona të përbashkëta ia vlejnë kostot e përpjekjeve tona të qëndrueshme.