Escobar: SHBA-ja nuk vendos afate për marrëveshjen Kosovë-Serbi

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se e mbështesin propozimin franko-gjerman, por shtoi se SHBA-ja nuk jep afate për arritjen e marrëveshjes.

“Nuk e di që propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente brenda pak javësh, por sigurisht që kërkon përparim shumë të shpejtë në dialog”, thotë Escobari në një intervistë për televizionin publik serb, RTS.

Escobari thekson se propozimi franko-gjerman duhet të merret në konsideratë, pasi siç thotë ai, do të na ndihmojë që shumë shpejt të përparojmë në dialog.

“Nuk kam vendosur asnjë afat për këtë dhe ai propozim është ende në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Para së gjithash, nuk na takon ne të vendosim afate, por me sa di unë, as evropianët nuk i kanë vendosur ato”, tha më tej Escobari.

Kujtojmë se dy ditë më parë, zyrtari amerikan qëndroi edhe në Kosovë, ku në një intervistë për Kanal10, tha se “arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javësh”.