Delegacioni i Parlamentit të Portugalisë në takim me Kurtin, thuhet se mbështesin liberalizimin e vizave për kosovarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij një delegacion parlamentar nga Portugalia.
Në emër të delegacionit, deputeti nga Partisë Socialiste, Sergio Sousa Pinto, konfirmoi mbështetjen e Portugalisë drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike, BE dhe NATO.

Në takim u tha se Portugalia gjithashtu e mbështet liberalizimin e vizave për kosovarët, pa kushte të reja.

Kurti, falënderoi delegacionin portugez duke përmendur këtu edhe trupat e KFOR-it në Kosovë.

“Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë delegacionit portugez dhe falënderoi Portugalinë për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme ndaj vendit, popullit dhe shtetit tonë, veçanërisht në fushën e sigurisë nëpërmjet trupave të saj në kuadër të misionit të KFOR-it. Ndër të tjera, ai foli për rolin e rëndësishëm që Portugalia mund të luajë në raport me vendet mos-njohëse, me theks te Spanja dhe Brazili.”, thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, po ashtu bëri ftesë për rritje të shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe ekonomike teksa e njoftoi delegacionin me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë të vendit si dhe mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj.