Osmani pret Delegacionin e Rrjetit Gobal të Viktimave të dhunës seksuale të luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një Delegacion të Rrjetit Global të Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina dhe Kolumbia.

Këtij Delegacioni, Osmani i tregoi për mbi 20 mijë gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale” deklaroi Osmani.

Osmani dhe Delegacioni në fjalë bënë një tur edhe në ambientet e ndryshme të Kuvendit të Republikës.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Historia më e re e Kosovës bart në vete rrëfimin e trishtë të mbi 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Sot prita një Delegacion të Rrjetit Global të Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina dhe Kolumbia. Përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Populli i Kosovës është në krah të popullit ukrainas dhe do të vazhdojë mbështetjen ndaj tij me të gjitha mundësitë.