Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kritikuar Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, duke thënë se, përfaqësuesi i kësaj partie, Ilir Rusmali, ishte i vetmi anëtar i delegacionit shqiptar që kishte votuar pro raportit të Dick Martyt në vitin 2011.
Kështu ka thënë Klinaku nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka shtuar ndër tjerash se, në atë kohë, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kishin mbledhur një peticion me mbi 230 mijë nënshkrimet, ku i kërkohej Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mos miratohet raporti i Martyt.
Po ashtu, Klinaku ka thënë së, dy përfaqësuesit e tjerë të Shqipërisë në asamblenë parlamentare të KE-së, votuan kundër.
Postimi i plotë:
Të rikujtojmë se atëherë Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kishin mbledhur një peticion me mbi 230 mijë nënshkrime në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Preshevë, peticion të cilin ia kanë dërguar sekretarit të përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kërkonin që të mos miratohej raporti.
Si votoi Shqipëria për raportin e Dick Marty në 25 janar 2011?
Shqipëria u përfaqësua në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës nga tre deputetë. Por si e gjykuan ata raportin e Marty-t?
Shpëtim Idrizi, përfaqësues i PDIU ishte një nga 8 personat që votuan kundër.
Edhe përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri votoi kundër raportit.
Përfaqësuesi i PD, Ilir Rusmali ishte i vetmi anëtar i delegacionit shqiptar që votoi pro raportit.
**Edhe ka ende fytyrë Sali Berisha që të flas**.